Ismet Munishi ishte i ftuar në emisionin “Koha Shtesë” për të analizuar ndeshjet e Kombëtares. Kuqezinjtë humbën kundër Kilit dhe Suedisë, ndërsa Munishi u shpreh se Shqipëria duhet të jetë si Kili në Euro24. (Emisionin e plot të Ismet Munishit në Koha Shtesë e gjeni më poshtë)
“Kili është një ekip mjaft serioz dhe ne duhet të marrim mësim nga Kili sesi duhet të luajmë në Europian. Se pikërisht duke luajtur si Kili, ne jemi kualifikuar. Mos të harrojmë sesa agresiv kemi luajtur kundër Polonisë dhe Cekisë, ne në saj të sakrificës dhe angazhimit maksimal arritëm që të kualifikohemi.
Kemi marrë vendin e parë ndaj dy rivalëve që ishin favoritë kryesorë. Prandaj duhet të marrim mësim dhe të luajmë si Kili. Edhe pse miqësore, në fakt vetëm ne shohim nëse një ndeshje është miqësore ose jo. Ne dy gola i pësuam kundër Kilit kur doli Ylber Ramadani nga fusha, dy gola. Nëse për një lojtar tjetër mund ta kemi një zëvendësues, për Ramadanin te Kombëtarja nuk ka as të përafërt.
Nuk kemi qenë më aq fanatik në mbrojtje në këto ndeshje. Ndryshe nga më parë, nuk kemi qenë më aq shumë të kujdesshëm në prapavijë, kemi futur ujë nga të gjitha anët. Mos të harrojmë dhe diçka, tani na analizojnë më shumë kundërshtarët, na marrin më shumë seriozisht. Duhet të ambientohemi me këtë punë, ata e shohin se nëse e lënë Asanin të lirë ta këput nga distanca, Nedim Bajramin gjithashtu. Ne duhet vetëm që ta qarkullojmë topin më shpejt, të luajmë edhe me një takim. Na mungon vetëm qarkullimi i topit i shpejtë.
Broja? Silvinjos i dha përgjigje pozitive, megjithëse nuk është ende në 100%, larg formës së tij. Shumë gjëra do të jenë të qarta në maj. Me rëndësi është që Broja ka dhënë shenja të mirë, se konkurrenca në sulm është e fort dhe askush nuk e ka vendin e sigurt. Rasti i Brojës kundër Suedisë ishte penallti. Nëse nuk ishte edhe ai penallti, atëherë unë nuk e di se çfarë mund të jepet 11-metërsh. Duhej dhënë dhe karton i verdhë për kundërshtarin, se në atë pozitë mjafton pak ta zhvendosësh sulmuesin nga vendi dhe i heq mundësinë e goditjes. Ishte aftësi e madhe e Brojës? Epo te Chelsea dhe Fulham nuk janë budallenj”, tha Munishi mes të qeshurës. /Sport