Flamurtari e ka nisur më keq seç pritej sezonin e ri në Superiore, ndërsa në 4 ndeshjet e para, kanë marrë 4 humbje. Asnjë pikë e grumbulluar, ndërkohë që në merkaton e verës transferoi më shumë lojtarë se çdo ekip tjetër në elitën e futbollit shqiptar.
Koha po vërteton se ka shumë pikëpyetje për cilësinë e këtyre lojtarëve. Goli i parë ka ardhur në takimin ndaj Luftëtarit, por për të folur rreth pikës së parë, mesa duket duhet të presim ende. Ajo që e bën edhe më të frikshme këtë situatë, është heshtja e madhe që ka mbizotëruar.
Pra nuk ka ende ndonjë reagim të madh për këtë situatë që po kthehet delikate. Vërtet jemi ende në 4 ndeshjet e para, por nga ana tjetër skuadrat e tjera të Superiores po vazhdojnë shkëputjen dhe vlonjatët ndodhen me zero pikë.
Justifikimi i ndeshjeve të para të kampionatit nuk mund të gjejë vend, ndërkohë që ishin 12 të tilla në lojë dhe në fund mund të bëj diferencën qoftë edhe një pikë e vetme e humbur përgjatë kësaj periudhe. Sigurisht që për trajnerin Sadedini nuk mund të ketë “kryqëzim”, pasi kjo është skuadra që ai zotëron dhe nuk mund t’i marrë më tepër. Por edhe vetë tifozët e Flamurtarit e presin një ndryshim nga skuadra e tyre, të paktën të ketë disa lëvizje të reja, pasi nëse vazhdon kjo “heshtje vrastare” së bashku më këto rezultate, fundi është i frikshëm për t’u imagjinuar. /Sport Ekspres/