17 pikë, që nëse nuk do ishte për gabimet arbitrale, mund të ishin të paktën 23. Kush është skuadra e cila tronditi Skënderbeun, e detyroi ekipin më të mirë në Shqipëri të vuante dhe që po habit kampionatin me futbollistin e saj agresiv, të fortë dhe deri diku fitues? Flamurtari asnjëherë më parë në 6 vitet e fundit nuk ka pasur një perfomancë të tillë. Për momentin vendi i tretë.
Merita kryesore dhe absolute i takon trajnerit Shpëtim Duro. Në muajt e verës mori gjithë përgjegjësinë e ndërtimit të skuadrës dhe i vuri objektiv vetes, rikthim në kupat e Europës. Lojtarët e ardhur janë një miks i disave që e njohin kampionatin, një pjesë tjetër erdhi nga liga maqedonase, ndërkohë që tre huazimet dy nga Besëlidhja dhe një nga Skënderbeu ngjasojnë të suksesshëm.
Deri tani Flamurtari ka humbur vetëm një ndeshje, atë të javës së parë kundër Skënderbeut, ndërkohë që në disa raste si kundër Vllaznisë, Laçit, Kukësit dhe pse jo kundër Skënderbeut, vendimet arbitrale nuk e kanë lejuar të marrin diçka më shumë.
Megjithatë, ky është një moment ku nuk duhet fluturuar. Flamurtari i ngjan fëmijës 1 vjeç që është duke mësuar të ecë. Nëse këtë ekip e prish çdo vit, ai nuk do ecë kurrë vetë. Nëse e lë të lirë, kur të shkojë 3 ose 4 vjeç mund të fluturojë. Ky është një projekt që duhet të vazhdojë. Presidenti Idrizi ka gjetur trajnerin dhe njeriun e duhur për të ndërtuar më së fundi Flamurtarin e tij.