Roland Çelmeta është kundër trajnerit Xhovani Kolelës në krye të pankinës së Partizanit. Si një tifoz i klubit të kuq ai ka treguar pakënaqësitë e tij me ekipin e zemrës në studion e emisionit “Botërori Katar 2022“ në “Ora TV“. Çelmeta i referohet historisë dhe shprehet se Partizani kurrë nuk ka pasur sukses me trajnerë italianë.
“Shkoj në stadium kur luan Partizani, edhe pse kam ato pakënaqësitë e mia për mënyrën se si po funksionon ekipi. Kur je 3-1 të dalësh 3-3 dhe të fitosh pastaj me Kukësin, kjo tregon që s‘ke një ecuri stabël. Ndoshta është ai përkufizimi popullor që kur duam luajmë, kur duam neglizhojmë. Nuk e di si t’ja vë emrin, pavarësisht se në gjykimin tim çalon shumë puna e trajnerit që ka marrë Partizani. Nuk ngjit. Kurrë s’ka ngjitur një italian me Partizanin. Është në vend të parë? Në vend të parë dolëm se u mund Tirana sot“, ka thënë Roland Çelmeta./Halit Delibashi-Sport Ekspres/