Ditë kupe edhe në Kosovë, ku sot zhvillohen 1/8-at e Digitalb Kupës. Ndryshe nga Shqipëria, Kosova i luan ndeshjet e kupës me një takim, duke vijuar me shtesat në rast barazimi.
Ndeshja e ditës luhej në Mitrovicë, ku Gugash Magani debutonte në stolin e Trepçës ’89, me një superndeshje kundër Llapit, kryesues në Superligë.
Triumfoi Llapi 2-0, me gola nga Daku e Blakçori në 3 minutat e fundit të ndeshjes, që ishte e ekuilibruar dhe me pak raste për shënim. Një fillim i keq për Maganin, që tashmë duhet të mendojë vetëm për garën për titull në Kosovë, synimi i vetëm i Trepçës ’89.
Eliminohet edhe Liria e Prizrenit. Në një terren shumë të rënduar, skuadra e drejtuar nga Bledi Shkëmbi barazoi 1-1 dhe me penallti u eliminua nga Vushtrria në transfertë. Avantazhin e përkohshëm të Lirisë e regjistroi sulmuesi i huazuar nga Flamurtari, Ibrahima Tungara.
Nuk ishte i vetmi ish-lojtar i Flamurtarit të Vlorës që shënoi sot.
Mesfushori Haxhi Neziraj ka vulosur fitoren 1-0 të Dritës në Istog.
Gol edhe për një njohje të vjetër të Flamurtarit dhe Superiores shqiptare, sepse Debatik Curri mori pjesë në goleadën 4-0 të Prishtinës kundër Kosovës.