Kupat e Europës ndryshojnë format, një shans i artë për kampionen e Shqipërisë

Nga 2018 deri në 2021, shtohet mundësia për të ecur më shumë në ture, nga Champions te Europa League. Skuadra kampione nuk kthehet në shtëpi, edhe nëse eliminohet që në turin e parë, si Kukësi i pafat sivjet. Shtohen edhe përfitimet financiare për çdo tur!

Anton Cicani

Të ndryshosh, shpesh, është e nevojshme. Nuk është e domosdoshme, por thjesht një linjë e drejtë, që nuk devijon, sjell vetëm “monotoni”… Të ecësh përpara do të thotë edhe të lëvizësh nga vendi dhe UEFA, në këtë drejtim, çdo vit përpiqet të hedhë hapa të tjerë që mund të sjellin edhe përparësi. Kështu, ndryshimet e formateve për aktivitetet futbollistike jashtë ligave, pra kampionateve, janë bërë vazhdueshëm në këto 20 vitet e fundit dhe do të vijojnë të bëhen, ashtu sikurse pak muaj më parë ndodhi që formati për sezonet në vijim, duke përjashtuar këtë aktual 2017-2018, pra po flasim për Champions League dhe Europa League 2018/19, 2019/20 e 2020/21 janë konfirmuar zyrtarisht. Ndërsa, nuk parashikohen variacione në sistemin e dy kompeticioneve, ndryshohen procedurat e aksesit, pra kualifikimit, e thënë në fjalë të varfra.

Pas një konsulte të gjatë me të gjithë palët e interesuar në futbollin evropian, UEFA ka propozuar disa amendamente, që janë aprovuar më pas në Komiteti Ekzekutiv UEFA pas rekomandimit të Komitetit të Kompeticioneve për klubet UEFA dhe nga këshilli i Shoqatës së Klubeve (ECA). E gjitha kjo u konfirmua zyrtarisht në maj.

Çfarë ndryshon – Fituesi i Kupës UEFA Europa League do të kualifikohet direkt në fazën e grupeve të Champions League (sot mund të marrë pjesë vetëm në play-off, pra si rasti i Mançester Junajtidit). Katër skuadrat e para të katër kombeve që kanë pikavarazhin më të lartë në renditjen UEFA do të shkojmë direkt në fazën e grupeve të UEFA Champions League. Të gjitha detajet e listës së futjes për të dy kompeticionet do të finalizohen brenda fundit të vitit.

Çfarë nuk ndryshon –  Do të vazhdojë të qëndrojë rrugëtimi i Kampionëve dhe ekipeve më mirë të renditura në UEFA Champions League. Në këtë mënyrë, garantohet që klubet e të gjitha federatave mund të hyjnë nëpërmjet kampionateve kombëtare dhe të kualifikohen për të dy kompeticionet. UEFA Champions League do të vijojë të ketë një fazë grupesh me 32 skuadra dhe një fazë eliminimi direkt me 16 skuadra. Në të njëjtën kohë, UEFA Europa League do të mbetet me 48 skuadra.

Pse përfiton Shqipëria – Formula e re do të parashikojë sidomos mundësinë e artë për skuadrat shqiptare për të shpresuar dhe pasuruar më shumë. Duke nisur nga edicioni tjetër, pra 2018-2019, skuadra kampione e Shqipërisë, pjesëmarrëse në turin e parë të Champions League (jo më të dytin, pasi i pari do të quhet parakualifikues), edhe nëse eliminohet, nuk do të shkojë në shtëpi, por do të ketë mundësinë të shortohet në turin e dytë kualifikues të Europa League, duke rinisur një rrugëtim të ri. Në rast se do të kalonte turin e parë në Champions dhe do të shkonte te i dyti, paralelisht, në rast eliminimi në këtë tur, do të shortohej në turin e tretë kualifikues të Europa League. Dhe, nëse do të shkonte në tur të tretë kualifikues të Champions, do të kishte siguruar play-off të Europa League. E kështu, sipas kësaj logjike, megjithatë, do të shtohen më shumë rrugët për të mbërritur te Champions League, pasi tashmë do të nisë nga turi i parë dhe do të vijojë me të dytin, të tretin dhe play-off… Një format që ka qenë edhe dikur. Thelbi? Kampionia e Shqipërisë prej vitit të ardhshëm do të fitojë miliona me shumicë dhe mbi të gjitha do të ketë shansin të shkojë në Europa League. Kukësi mallkon fatin: nëse rregullorja hynte në fuqi sivjet, pas Sherifit zhgënjimi do të ishte shumë më i vogël.

Ndërkohë, edhe premiot do të rriten, për të dyja kompeticionet. Të ardhurat nga e drejta televizive sa vijnë e shtohen, ndaj UEFA do të shpërblejë klubet, që do të thotë se pritet një rritje rreth 20% për hyrjen në kupat e Europës dhe çdo tur të kaluar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *