Nga Klaudio Ndreca
Partizani do të përballet ndaj Kukësit në supersfidën e sotme, e vlefshme për titullin kampion. Një takim ky që do të ketë dy skuadra që janë të dënuara për të fituar, por vetëm një prej tyre do të dalë me objektivin e arritur nga fusha e blertë.
Verilindorët e kanë Partizanin si “trenin e fundit” për të vazhduar ëndrrën drejt titullit kampion, ku një hap i gabuar do të ishte një “përshëndetje” me misionin e një ekipi që u investua dhe u ngrit për një arsye, të dalë në vendin e parë.
Nga ana tjetër kemi Partizanin që luan gjithçka, sidomos me durimin e tifozëve. Në rastin e një humbje të radhës dhe e bashkuar me fitoren e Bylisit kundër Teutës, atëherë për herë të parë kryeqytetasit do të përfundonin në vendin që të dërgon në “Play-out”. Kjo do të sillte reagimin e tifozëve të Partizanit, që aktualisht janë kampionët e Shqipërisë, për të ndryshuar gjendjen e ekipit të tyre. Pra një situatë aspak e këndshme që mund të kthehet në realitet, në një kohë që nuk lejohen ende grumbullimet e mëdha apo mbledhja e sportdashësve në stadium, të cilën Partizani mund ta evitojë me një fitore. Por a mund t’ia dalë ndaj Kukësit? Mbetet të shihet…