Do të luhen këtë fundjavë ndeshjet e kthimit të faës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë për vajza. Tre takimet e para do të luhen të shtunën, ndërsa Apolonia – Laçi do të zhvillohet ditën e diel.
Partizani do të presë në shtëpi skuadrën e Kinostudios, në një ndeshje ku gjithçka duket ende e hapur dhe pritet të jetë shumë e luftuar. Takimi i parë mes dy ekipeve të kryeqytetit ka përfunduar me fitoren 4-3 të Kinostudios. Ndeshja do të zhvillohet në kompleksin ‘Partizani’ në ora 12:00.
Sakaq, Tirana duket se ka siguruar një biletë për në gjysmëfinale pas fitores me shifrat e thella 9-2 kundër Teutës në takimin e parë. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet në kryeqytet, në kompleksin ‘Skënder Halili’ në ora 13:00.
Takimi i tretë i ditës së shtunë do të jetë ai mes Vllaznisë e Kukësit. Në sfidën e parë, shkodranet fituan me goleadë ndaj Kukësit, me shifrat 7-0. Ndeshja e kthimit mes Vllaznisë dhe Kukësit do të luhet në stadiumin ‘Reshit Rusi’ në Shkodër, në ora 14:00.
Ndërkaq, ndeshja e fundit e kësaj faze do të jetë ajo mes Apolonisë dhe Laçit. Fieraket fituan takimin e parë me rezultatin e thellë 6-0, teksa duken më të favorizuara për të qenë në gjysmëfinale. Gjithçka do të vendoset ditën e diel, me takimin që është planifikuar të nisë në ora 12:00.
Këto katër sfida do të përcaktojnë më tej edhe ekipet gjysmëfinaliste të këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë.
Çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë për vajza
E shtunë, 28.01.2023
Partizani – Kinostudio (3-4) ora 12:00
Tirana – Teuta (9-2) ora 13:00
Vllaznia – Kukësi (7-0) ora 14:00
E diel, 29.01.2023
Apolonia – Laçi (6-0) ora 12:00