Nga Klaudio Ndreca
Tirana është njohur me kundërshtarin që do të ketë në “Play-Off” të “Europa League” teksa do të përballet me Young Boys. Pafat! Kështu janë etiketuar bardheblutë nisur nga fakti që do të luajnë shpresat e tyre me kampionët e Zvicrës. Por duke marrë pararsysh fazën në të cilën ndodhemi, nuk mund të kishte një tjetër përfundim. Nëse shorti do i falte Young Boys, nga ana tjetër do të vinte përballja me Dinamo Zagrebin që ka një rritje të cilësisë dhe performancës në vitet e fundit.
E për t’u ndalur pak te kundërshtari i Tiranës, Young Boys. Këta të fundit kanë thyer sundimin e Bazelit në Zvicër që vijonte për një kohë të gjatë, duke vendosur flamurin e tyre që të valvitet në këtë shtet. Jo pak, por për tre vite radhazi ky ekip është shpallur kampion, për ta nisur që nga sezoni 2017-2018. Kjo skuadër ka një vlerë totale prej 60 milionë eurosh, duke pasur diferenca të dukshme karshi Tiranës. Megjithatë një e dhënë pozitive është fakti se në dy sezonet e mëparshme kur Young Boys ka fituar kampionatin në Zvicër, “e vriste” atë që në gjysmën e parë, duke i fituar të gjitha takimet. Por kjo nuk ka ndodhur në sezonin e fundit duke e vendosur disi në diskutim dhe kjo tregon një rënie të forcës.
Suksesi duhet të kërkohet dhe shihet te mënyra sesi kampioni i Danimarkës, Midtjylland i eliminoi nga “Champions League” pas fitores në shifrat 3-0. Skuadra daneze nuk është shumë modeste në vlerën e saj si në rastin e Tiranës, por nuk ka një histori të madhe të kualifikimeve në Europë dhe shihej si më pak favorite ndaj Young Boysit. /Sport Ekspres/