Pak para ndeshjes derbi mes Partizanit dhe Tiranës do të vinte edhe tronditja nga kampi i të kuqëve ku dolën rastet e para të lojtarëve pozitivë me Koronavirus. Boldorit dhe Ferhatit do t’i shtohej rasti i Malës, Çinarit dhe Kotes.
Gazetari Bashkim Tufa i ftuar në “Ora Sport” ka zbuluar se futbollistët e Sormanit janë infektuar nga pandemia pasi ishin në një festë. Pra në kohën kur kemi thirrje të vazhdueshme nga ana e shtetit për evitimin e grumbullimeve të tilla që rrezikojnë seriozisht shëndetin e njëri-tjetrit dhe kur duhet të ketë izolim në hotel, është rrezikuar në këtë mënyrë.
“Ekziston një protokoll shëndetësie që lojtarët që dalin pozitivë ngujohen ndërsa pjesa tjetër vijon lojën. Ky protokoll nuk është shpikje shqiptarësh. Janë të detyruar ta zbatojnë. A e di ti se ku e kanë marrë covidin ato djemtë e Partizanit? E kanë marrë në një mbrëmje, në një ditëlindje. Atëherë kontrolloi pak futbollistët në këtë periudhë kur është virusi nëpër këmbë. Ata duhet të jenë nëpër hotele me kontroll. Ky nuk është faji i Tiranës, është faji i Partizanit”, u shpreh Tufa. /Sport Ekspres/