Marash Kumbulla vijon të jetë në karantinë në shtëpinë e tij në Romë, ku po kalon betejën me Covid-19. Talenti shqiptar ka bërë jehonë në Itali me cilësitë e tij, duke bindur përherë e më tepër në fushën e lojës dhe duke lënë gjurmët e tij në Serie A. Por duket se mbrojtësi kuqezi di si të bëjë mirë edhe jashtë futbollit.
Kumbulla rrëmben sërish vëmendje në Itali, e këtë herë për një gjest të këndshëm që ka bërë së fundi. Historia lidhet me Ajnin, një djalosh 4-vjeçar shqiptar, që prej pak kohësh ka nisur të jetojë në Milano. Por pengesat që ndjen për shkak të gjuhës ia kanë bërë përditshmërinë e tij të vështirë, aq sa shpesh përfundon me lot në sy prej pamundësisë për të komunikuar.
Kumbulla ka vendosur t’i dërgojë një video-mesazh djaloshit, ku i kërkon të mos jetë i mërzitur, pasi ka ardhur në një vend ku mund të përmbushë ëndrrat e tij. Një gjest i bukur ky nga lojtari i Romës, që ka rënë në syrin e mediave italian. “Calciomercato.com” i dedikon edhe një artikull futbollistit të Kombëtares, të cilin e cilëson si një person me zemër të artë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/