Një ndër surprizat e Kukësit të këtij sezoni ka qenë lojtari brazilian Uilliam Kordeiro. Afrimi i kësaj vere te verilindorët është kthyer në një pikë kyçe te ekipi i Cungut, duke qenë një titullar fiks.
Pikërisht ditën e sotme braziliani ka shqetësuar jo pak kampin e verilindorëve. Uilliam ka pasur një shqetësim dhe nuk ka arritur ta mbyllë stërvitjen e sotme me ekipin e tij. 25-vjeçari ka qenë mjaft i nevojshëm për skuadrën e Cungut, pasi ai nuk aktivizohet vetëm si një mbrojtës i djathtë, por edhe si mesfushor apo dhe si sulmues, siç dhe u pa në ndeshjen e fundit ndaj Kamzës.
Një lajm që mërzit jo pak kampin e Kukësit, të cilët vetëm një javë më parë humbën një nga lojtarët më të rëndësishëm të tyre për shkak dëmtimi, Besar Musollin. Gjithsesi pritet në orët në vazhdim të shihet nëse bëhet fjalë për ndonjë dëmtim serioz apo një shqetësim i momentit për brazilianin Melo.