Nëse Kukësi mbushi arkat, por në fushë tregoi se po vuan mungesën e Sindrit Gurit në sulm, ata që festojnë janë në Belgjikë, te Ostende. Sulmuesi kuqezi mbetet absolutisht lojtari më i spikatur i skuadrës, tashmë që përgatitjet për sezonin e ri kanë hyrë në fazën finale.
24-vjeçari shkëlqeu edhe në miqësoren, që Ostende fitoi 2-0 përballë izraelitëve të Hapoel Haifa. Goli i avantazhit të belgëve në pjesën e parë u realizua nga Nikolas Rajsel, i cili shndërroi në gol 11-metërshin e fituar nga Guri.
Shkodrani provoi me të gjitha mënyrat që të shënonte. Fillimisht tentativa e tij fluturimthi u frenua nga shtylla, ndërsa pak çaste më pas goditja me kokë përfundoi vetëm pak centimetra jashtë portës së Hapoel Haifas.
Guri qëndroi në fushë deri në minutën e 70-të, kur i la vendin debutuesit Fashion Zhunjor. Me formën e treguar, sulmuesi po tregon nga dita në ditë se Ostende ka bërë një biznes të shkëlqyer duke e blerë për 710 mijë euro nga Kukësi. Kur kanë mbetur diçka më tepër se dy javë nga starti i kampionatit, në klubin belg po “fërkojnë duart”, sepse kanë gjetur sulmuesin që u nevojitej.