Kukësi shpartallon Partizanin dhe arratiset i dyti, Guri superstar

Kukësi shkëlqen në ndeshjen direkte me Partizanin për vendin e dytë dhe triumfon pastë 4-0 në një ndeshje të dominuar nga fillimi deri në fund. Vendosin tre golat e Gurit dhe realizimi i Dzarias, që i japin Kukësit 3 pikë, por mbi të gjitha avantazhin e 9 pikëve nga Partizani në vendin e dytë.

Nëse kuksianët bënë një ndeshje perfekte, Partizani ishte inegzistent në fushën e lojës, duke mos e vënë asnjëherë seriozisht në rrezik portën e verilindorëve. Ishte Guri ai që hapi serinë e golave, pas harkimit të Shkodrës nga këndi. Dzaraia dyfishoi 20 minuta më vonë, pas një pasimi të Gurit. Sulmuesi i Kukësit realizoi dhe golin e tretë 5 minuta para se të mbyllej pjesa e parë, pas një aksioni mjaft të bukur, ku pas pasimit të Kales, sërish me kokë Guri nuk gaboi. Në pjesën e dytë verilindorët e patën të thjeshtë të menaxhonin rezultatin.

Vetëm 10 minuta para fundit të kohës së rregullt, Guri arriti të gjente golin e tretë personal, por nga një goditje dënimi këtë herë. Ekzekutim perfekt i 24-vjeçarit që merr përgëzimet e gjithë stadiumi për atë realizim. 4-0 dhe Partizani në tapet. Kukësi konsolidon pozitat në vendin e dytë, ndërsa Partizani mundet pas një serie të gjatë rezultatesh pozitive.

KUKËSI 4-0 PARTIZANI

Shënues: Guri 8′, 40′, 80′, Dzaria 28′

 

Kukësi: Frashëri: Rrumbullaku, Alla, Shameti, Zhderiç, Idrizi, Musolli, Dzaria (Imami 83′), Kale (Ethemi 60′), Shkodra (Joti 68′), Guri. Trajner: Peter Pakult. (Të gatshëm: Koliçi, Peposhi, Ymeraj, Bytyçi).

Partizani: Hoxha, Gojkoviç, Kotobelli (Telushi 42′), Atanda, Mala, Trashi, Çani, Batha, Kardoso (Abdurrahimi 54′), Progni, Asani (Bardhi 46′). Trajner: Klevis Dalipi. (Të gatshëm: Xhika, Belica, Culum, Fejzullahi).

Gjyqtarë: K. Kola, R. Avdo, N. Bregasi, R. Dobruna, K. Meta, B. Ziri

Delegat: M. Sulejmani; Vëzhgues: P. Pjetrushi.

Kartonë të verdhë: Guri 44′, Shameti 90’/ Progni 16′, Batha 61′

GOLAT

8’ – Harkim nga këndi nga ana e Shkodrës, i zakonshmi Guri del i lirë brenda zonës dhe me kokë tregohet i saktë.

27’ – Guri pason në qendër të zonës, ku Dzaria vjen pas shpinës së mbrojtjes dhe tregohet i saktë, duke gjetur golin e dytë.

40’ – Kale këtë herë hedh një top nga e djathta, Guri brenda zone sërish me kokë nuk fal dhe realizon golin e tretë për Kukësin dhe të dytin personal. Aksion fantastik i Kukësit.

80’ – Goditje dënimi për Kukësin në një pozicion të prirët me portën. Guri merr përsipër ekzekutimin dhe tregohet mjaft i saktë. Një gol për kartolinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *