E kemi parë me fanelën e Kombëtares së Shqipërisë, si lider dhe kapiten, por sidomos edhe duke luajtur në Champions League dhe Europa League me fanellën e Karabakut, si në turet paraeliminatore ashtu edhe në grupe, por Ansi Agolli ka një dëshirë mbi çdo gjë tjetër: të përballet me një klub shqiptar me fanellën e azerëve… Dhe, momenti ka ardhur.
Sepse, nesër, Kukësi do të vendoset përpara televizorit dhe do të ndjekë sfidën mes Karabakut dhe Olimpia Ljubjanës, ku skuadra azere ka fituar 1-0 në Slloveni sfidën e vajtjes dhe, me shumë mundësi, përtej ndonjë surprize, do të kalojë më tej… Sigurisht, verilindorët luten për një eliminin të azerëve, për ta pasur rrugën të paktën më të kalueshme dhe jo një “mision të pamundur”.
Në historinë e saj, Karabaku është ndeshur disa herë me skuadra të Ballkanit, mes tyre Rudarin e Malit të Zi, që e ka mundur dhe eliminuar gjithmonë, por edhe Metalurg Shkupin e Maqedonisë (dy herë). Sakaq, ka edhe ndeshje me PAOK-un e Ergys Kaçes në Greqi, në grupet e Europa League.
Por, kurrë kundër një ekipi të vendlindjes së tij, diçka që në të shkuarën kanë bërë Bakaj dhe Vangjeli, kur luanin me Çernomorets Odesa (përballë Skënderbeut).