Kukësi ka statistika që janë shumë shqetësuese sa i përket aspektit të pësimit të golave. Verilindorët kanë marrë plotë 18 gola deri në këtë fazë të kampionatit, ndërsa më keq se Kukësi ka bërë vetëm Skënderbeu dhe Apolonia që renditen në vendet e fundit. Për këtë arsye drejtuesit e Kukësit po kërkojnë një përforcim në mbrojtje. Sipas asaj që raporton “Infosport”, në tavolinën e klubit është përgatitur edhe një ofertë për mbrojtësin e Kombëtares, Herdi Prenga.
Ky i fundit është lojtar i lirë pasi është larguar nga kampionët e Letonisë, Riga. Por problemi i vetëm mbetet bindja e futbollistit. Mbrojtësi dëshiron që ta shprehi veten në nivelet më të larta në Europë, duke mos e parë aktualisht Shqipërinë si një mundësi. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia e pranimit të ofertës nëse planet nuk shkojnë siç duhet për Prengën, që mund të pranojë propozimin e verilindorëve. /Sport Ekspres/