Kukësi nxjerr Kërkotiçin në rrugë të madhe

Milosh Kërkotiç është një nga tre lojtarët që deri më tani konsiderohet si i panevojshëm për pjesën e mbetur të kampionatit, me Kukësin që po mundohet ta largojë pa kosto financiare. “Sport Ekspres” raportoi pas ndeshjes se malazezi do të lërë kuksianët. Ditën e djeshme mësohet se edhe menaxheri i lojtarit është vënë në dijeni me këtë vendim që klubi i Kukësit ka marrë. Mësohet se lojtari ende është i paqartë për këtë situatë dhe do të takohet me drejtuesit e Kukësit në ditët në vijim.

PROBLEMATIKA

Kërkotiç u afrua në ditën e fundit të muajt gusht dhe u konsiderua si një nga goditjet e kampionëve. Kjo dhe për shkak se 30-vjeçari më herët kishte qenë dhe pjesë e Kombëtares së Malit të Zi. Edhe pse mund të mendohet se gjithçka mund të kalojë me shtrëngim duarsh,me shumë gjasa nuk do të ndodhë kështu, pasi në mes është një problematikë jo e vogël. Kërkotiç në verë la Mlladostin e Podgoricës për t’u bashkuar me kuksianët. Ai ishte aktivizuar me skuadrën malazeze jo vetëm në Kupat e Europës, por dhe në kampionat, çka do të thotë se i ka djegur të dyja dritaret e transferimeve. Nëse Kërkotiç largohet nga Kukësi ai nuk do të ketë të drejtë të aktivizohet në një kampionat tjetër me formatin vjeshtë-pranverë. Nëse Kukësi nuk e konsideron pjesë të skuadrës për pjesën e mbetur të sezonit Kërkotiç do të mbesë në mes të katër rrugëve, sa i përket futbollit.

Në të tilla kushte, lojtari me shumë gjasa nuk do ta pranojë vendimin e Kukësit për ta larguar. Mbetet për t’u parë nëse palët do të gjejnë gjuhën e përbashkët apo gjithçka do të pasohet nga të tjera përplasje ligjore. Kërkotiç në këtë pikë duhet t’i bëjë mirë llogaritë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *