Humbja me Skënderbeun ka trazuar ujërat. 3 pikët me myzeqarët janë detyrim, ndryshe rrezikojnë të gjithë…
Jurgen Zela
Humbja me Skënderbeun në stadiumin “Zeqir Ymeri” ka ndikuar negativisht për skuadrën kuksiane. Të besuarit e trajnerit Mladen Milinkoviç kanë provuar humbjen e parë për këtë sezon, një disfatë që vjen përballë një rivali direkt duke humbur edhe vendin e parë. Mungesa e pikëve ka acaruar gjërat në kampin e verilindorëve, pasi ndaj Lushnjes kërkohet vetëm fitorja. Çdo rezultat tjetër është i papranueshëm, pasi kjo do të rriste distancën me kreun e renditjes. Kuksianët janë në “fije të perit”, pasi një tjetër rezultat negativ do të sillte edhe më tepër acarimin e situatave, me siguri që edhe presidenti Gjici do të futej “në lojë”.
RREZIKSHMËRIA – Numri një i klubit nuk shquhet për qëndrueshmëri dhe trajnerët që nuk arrijnë rezultate nuk e kanë të gjatë në krye të kuksianeve. Humbja me Skënderbeun, nëse shoqërohet me një tjetër rezultat negativ, nuk do të kalojë kaq lehtë. Lojtarët janë në dijeni të masave të mundshme dhe kanë detyrim që vetëm të fitojnë. Në rast se nuk arrihet fitorja kundër Lushnjes, atëherë edhe gjobat do të jenë të sigurta për kampin verilindor.
Rrogat mujore me shumë mundësi nuk do të merren, ndërsa priten edhe masa të tjera. Trajneri Milinkoviç dhe stafi i tij do të jenë shumë të rrezikuar, por kampionët e Shqipërisë nuk po mendojnë këtë gjë. Atmosfera nuk është e zymtë dhe ndaj Lushnjes pritet që kuksianet të kthehen te fitorja.
“ULTIMATUMI” – Presidenti Gjici pas ndeshjes me Skënderbeun i ka bërë të ditur trajnerit Milinkoviç se nuk toleron zhgënjime të tjera. Humbja me Skënderbeun është konsideruar si “këmbana e alarmit” për ekipin e Kukësit dhe tashmë nuk tolerohet asnjë zhgënjim tjetër. Të shohim dhe të presim orën 14:00, të ditës së enjte për të parë se si do të shkojë sfida.