Kukësi do të luajë nesër një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, pasi në lojë janë mijëra euro. Pas barazimit 1 javë më parë në “Loro Boriçi”, verilindorët duan kualifikimin në Maltë, ku do të drejtohen nga Armando Cungu, ndryshe nga një javë më parë kur timonier ishte Peter Pakult.
Skuadra ka mbërritur në Maltë dhe skuadra ka zbritur në fushën e stadiumit ku do të zhvillohet ndeshja, për të zhvilluar seancën e fundit stërvitore para ndeshjes me Valetën. Megjithatë ka pasur një ndryshim në agjendën e Kukësit, pasi ka ndryshuar stadiumi ku do të luhet ndeshja.
Takimi do të luhet në arenën “Centenary Stadium”, që është një stadium në Ta’Kali, që ndodhet ngjitur me arenën kombëtare. Kjo zhvendosje është bërë pasi stadiumi kryesor kishte një terren shumë të rënduar. Kapaciteti i kësaj arene është vetëm 3000 vende dhe kryesisht luan skuadra e 21-vjeçarëve të Maltës.
Mund të jetë një lajm i mirë për Kukësin që do të ketë jo shumë tifozë kundërshtarë, por në të ënjtën kohë do të ketë një terren mjaft të mirë për të luajtur futboll. Edhe seanca e fundit stërvitore po zhvillohet në këtë fushë.