Anton Cicani
Vitet kalojnë, por duket se Ansi Agolli ka bërë një kontratë të përjetshme me “rininë”… Në Azerbajxhan ka gjetur oazin e karrierës, aty ku tashmë po bën një dekadë dhe ku ka fituar shumë trofe, por që nuk ka ndër mend të ndalet. Champions League është kompeticion ëndrrash dhe ai, sikur të ishte ende fëmi, vazhdon të ëndërrojë… dhe realizojë atë.
Kualifikimi në turin e dytë të Champions, pasi Karabaku eliminoi Olimpija Ljubjanën, do ta vendosë përballë një ekipi shqiptar, pra Kukësit. Në “Loro Boriçi”, Ansi do të kthehet si kundërshtar dhe jo si beniamin i tifozerisë… Në intervistën për “Sport Ekspres” i tregon të gjitha, duke prekur edhe kombëtaren, lamtumirën dhe sidomos të ardhmen, që nuk do të jetë… bardheblu.
Kualifikim i rëndësishëm në turin e dytë të Champions… Nuk ishte edhe aq e lehtë sa dukej në letër?
Sepse, letra nuk vlen në këto kompeticione. Kishim fituar sfidën e parë dhe ndeshja e dytë, edhe pse dominuam, nuk u zhbllokua, duke rrezikuar edhe ndonjë surprizë të pakëndshme. Por, tani rëndësi ka që kaluam më tej, që ishte edhe objektivi.
Ndërkohë, shorti ju vendos përballë… Shqipërisë, Kukësit në këtë rast. Si ndiheni?
Do të jetë një ndeshje mjaft emocionuese për mua. Pas 10 vjetësh, kthehem në Shqipëri duke luajtur në nivel klubesh.
Hera e parë në karrierë kundër një ekipi shqiptar me fanellë të huaj?
Po, absolutisht.
Në letër nuk ka histori, por…
Por, letra nuk njihet në futboll. Flet fusha, sidomos në këtë kompeticion. Janë ndeshje shumë specifike dhe duhet përqendrim maksimal.
A e njohin Kukësin në Azerbajxhan?
Pak a shumë po, më kanë pyetur, spese vjet ishte një ndër kundërshtarët tanë të mundshëm. Kanë shumë respekt.
Si e pret ndeshjen në Shqipëri?
Në çfarë aspekti?!
Emocionet dhe atmosferën…
Nuk di se çfarë të them. Padyshim që atmosferën e pres super, por edhe emocione do të kem.
Ndërkohë, lind pyetja: pse Agolli nuk po luan dhe nuk shihet si titullar i padiskutuar, apo mos ka të bëjë fakti që nuk je më as pjesë e kombëtares?
Jo, jo! Kampionatin e kaluar dhe ndeshjet në Champions i kam luajtur të gjitha. Vendos trajner, e di më mirë ai se cili duhet të luajë dhe cili jo.
Mos je jashtë forme?
Sapo jam kthyer nga faza përgatitore dhe fizikisht jam në maksimumin tim. Por, këtu vendos trajneri, luaj apo jo…
Ashtu si vendosi Panuçi te Shqipëria, që nuk të thërriti më?
Nuk dua të komentoj, është komentuar shumë nga të gjithë.
Sa të mungon fanella kuqezi?
E kam kryer misionin tim. Shpresoj ta kem kryer ashut si duhet. Nëse ekipi kombëtar do të ketë nevojë për mua, atëherë pa hezitim do të jem i gatshëm.
E megjithatë, ndarja erdhi disi shëmtuar, jo për faj tënd…
Personalisht, ndërgjegjen e kam të pastër për sa i takon kombëtares.
Ndërkohë, mosha është moshë dhe vitet kalojnë. Ku do ta mbyllësh karrierën. A duhet të shpresojnë dhe besojnë tifozët e Tiranës?
Dua të flas hapur. U bëra 9 vjet në Azerbajxhan. Nuk e kam të vështirë të zgjedh. Kur ke një trajner që beson, një klub që beson dhe dashurinë e tifozëve, e vetmja zgjedhje është të qëndrosh aty. Ndaj, e shoh të ardhmen te Karabaku.
Drejtues apo trajner?
Të shohim. Rëndësi ka që do të jem brenda familjes së futbollit.