Duel shumë interesant, me kampionët që duan të konfirmohen si pretendent, ndërsa Kamza për t’i bindur të gjithë se nuk është rastësisht këtu
Jurgen Zela
Në Kamzë do të luhet një nga ndeshjet më interesante të kësaj jave, për vetë pozitat ku ndodhen skuadrat. Në njërën anë janë kampionët në fuqi, të cilët synojnë të kthehen te fitorja pas dy barazimeve radhazi, por njëkohësisht të mos i ndahen Skënderbeut kryesues. Një tjetër hap fals do i ndërlikonte shumë llogaritë e verilindorëve, pasi kalendari sa vjen e vështirësohet. Në krahun tjetër është surpriza e fazës së parë, Kamza. Deri më tani i ka befasuar të gjithë, duke arritur që të pozicionohet në vendin e katërt. Pa shumë pretendime në nisje të sezonit, por siç thuhet oreksi vjen duke ngrënë dhe në të tilla kushte një fitore me Kukësin mund të bënte që objektivat të ndryshonin dhe të synohej diçka më shumë se mbijetesa. Nga fitorja me Partizanin, te përballja me kampionët, entuziazmi është i lartë në kampin e kamzalinjve, të cilët besojnë se mund të arrijnë një tjetër sukses.
Jo vetëm fitorja me “demat” e kryeqytetit, por dhe ndeshja e parë në Kukës u jep besim të besuarve të Ramadan Ndreut se mund të bëjnë mirë në ndeshjen e dytë sezonale me kampionët. Në javën e parë të kampionatit vendosi një 11-metërsh dhe nuk kishte diferenca të mëdha sa i përket lojës. Skuadrat nuk pritet të kenë mungesa dhe gjasat janë që në fushë të shohim formacionet më të mira të mundshme. Nëse në fushë premtohet një ndeshje me shumë rivalitet, nuk zbehet aspak konkurrenca në tribuna. Presidenti i Kamzës, Naim Qarri, e ka një nga dëshirat e tij të mëdha të fitojë me Kukësin. Në të njëjtën linjë është dhe kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, që me Gjicin ka pasur “përplasje” politike. Dy vite më parë ishte Mziu ai që fitoi betejën për Bashkinë e Kamzës me Gjicin. N0jë sfidë brenda sfide mund të jetë dhe kjo mes drejtuesve. Kamza e ka të deklaruar premion nëse mundin Kukësin, por askush nuk e vendos dot dorën në zjarr se dhe Gjici nuk do i motivojë të tijtë me një premio ekstra në rast se arrijnë që të bindin. Po ashtu dhe rivaliteti mes drejtuesve mund të bëjë që lojtarët të luajnë jo vetëm për tre pikët, por dhe për të marrë diçka më shumë se rroga e tyre. Kamza deri më tani ka shkarkuar tre trajnerë dhe me Kukësin deri diku ka në dorë fatin e Milinkoviçit, sepse nëse do të ndodhte që diferenca me Skënderbeun të thellohej, atëherë durimi te kampionët mund të përfundojë. Diferenca mes skuadrave është vetëm tre pikë. Kamza është skuadra e vetme që i ka marrë pikë Skënderbeut dhe Kukësi nuk e ka aspak të lehtë, por nuk duhet harruar se verilindorët janë kampionët në fuqi.