Ku po shkon o Partizan?

 

Opinion nga Shpëtim Gjoshi

Kjo pyetje, edhe pse retorike, kur ka përfunduar java e 3-të dhe shikon se skuadra e kuqe mbyll tabelën e renditjes, kur rikujton lojërat e zhvilluara prej saj, bëhet krejtësisht koherente për çdo tifoz. Deri tani, Partizani nuk ka arritur të korrigjojë problemet kryesore të së kaluarës, ndaj rrezikon të përjetojë edhe këtë sezon mungesën e suksesit. Në 3 takime në kampionat, ndonëse nuk janë vendimtare në ecurinë e mëtejshme, u panë shenjat se të ardhurit në ekip, edhe pse të lyer me “ar” për të shkuarën e tyre, nuk kanë arritur ta vendosin Partizanin mbi themele të forta e të sigurta. Aktualisht, ky grup nuk ka bërë asgjë për ndreqjen e problemeve të sezonit të shkuar, që u mbyll pa trofe.

Humbjen ndaj Laçit në shtëpi, barazimin ndaj Kukësit po në shtëpi dhe humbjen në Korçë ndaj Skënderbeut, pa shënuar asnjë gol, tifozët e Partizanit nuk dëshirojnë t’i besojnë, por ato janë një fakt i hidhur! Efektet anësore të largimit të drejtuesve të sezonit të shkuar, duam apo nuk duam, duket se janë shumëfishuar. Zëvendësuesit po tregojnë se nuk kanë potencialin për ta rigjallëruar Partizanin. Afrimet e kryera gjatë verës krijuan bindjen se tekniku Juliano do të merrte në duar një formacion krejt tjetër, por për momentin asnjë përforcim nuk ka dëshmuar nivel të lartë apo cilësi më të mira se të larguarit. Në këta lojtarë është pritur të bëjnë diferencën.

Javën e shkuar, në “Selman Stërmasi”, natyrshëm e gjithë vëmendja ishte drejtuar tek Edgar Çani, në pritje të momentit magjik, që sulmuesi i ardhur nga Italia duhej t’u dhuronte tifozëve, stafit teknik dhe presidentit Demi. Momenti më i mirë për Çanin ishte  Kukësi, një rival i drejtpërdrejtë, por mijëra eurot e investuara për të nuk u justifikuan. Asgjë për të mbetur në kujtesë. Një ndeshje e vetme nuk është pasqyrë reale, por ai nuk dha shpresë se do të jetë “princi”, që Partizani po kërkon në sulm. Edhe në Korçë nuk pamë diçka të re nga ky lojtar. Çani ka vështirësi për t’u përshtatur me skuadrën. Ndoshta dëmtimet duan kohën e duhur për t’u kapërcyer, veçse klubi, na e do mendja, e ka afruar atë jo për të ardhmen.

Çani është njëri nga afrimet e bujshme, por në këtë situatë janë edhe të tjerë. Lojtarët anësorë apo organizatorë në mesfushë, nuk kanë treguar asgjë dhe duket e diskutueshme çështja, nëse duhet të jenë apo jo pjesë e Partizanit. Prapavija ka qenë reparti më i dalluar i Partizanit sezonin e shkuar. 17 gola të pësuar në 36 javë dhe rol vendimtar për vendin e dytë, kurse tani ky repart ka probleme, edhe pse emrat janë po ata. E vështirë të analizosh e krahasosh dy kampionatet e fundit, kur është vetëm fillimi. Veçse nisur nga shprehja: “koha e mirë duket që në mëngjes”, ia vlen të shtrohen pyetjet: A do të mundet Partizani ta kapërcejë momentin e tranzicionit në drejtimin teknik? A do të arrijnë të menaxhojnë me sukses futbollistët e rinj dhe ata të afruar rishtazi? A ekziston mundësia të konkurrojë me Skënderbeun e Kukësin për titull? Nuk ka asnjë mundësi, që këto pyetje të marrin përgjigje tani. Aktualisht, Partizani i ngjan një anije pa busull, që nuk dihet ku po shkon. Të shpresojmë ta gjejë sa më shpejt rrugën e duhur…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online