“Kthimi në Shqipëri është si të lësh futbollin”, Jupi: Kisha dyshime për Seferin, m’u duk si rastet e zakonshme

Redi Jupi e sheh një hap të hedhur shumë pas kthimin në kampionatin shqiptar. Ish-lojtari shqiptar është shprehur në emisionin “Procesi Sportiv” se kthimet në futbollin tonë ndodhin në fund të karrierës. Por një rast përjashtues për të duket ai i Seferit, i cili erdhi mes dyshimeve dhe u kthye në një fenomen që ia vlen të ndiqet.

“Është shumë i rëndësishëm raporti me të vërtetën. Sa më të vërtetë të jemi, aq më mirë shkojnë punët mbrapa. Ne kemi një problem shumë të madh në raport me të vërtetën dhe kjo na bën shumë shpesh të shkojmë në gabime. Atëherë, të themi disa të vërteta sipas meje. Për mua kthimi i Seferit në Shqipëri ishte një hap mbrapa. Jo një kthim mbrapa, por një fund karriere. Siç pashë Kaçen që erdhi këtu në fund të karrierës, siç pashë Kallakun që u kthye nga Kroacia. Në përgjithësi, të gjithë ata lojtarë që kanë ardhur nga jashtë ose kanë lënë futbollin ose kanë bërë një sezon të fundit. Të kthehesh në Shqipëri është si të lësh futbollin, në kuptimin teknik dhe sportiv të fjalës.

Gjithë përpjekja e futbollit tonë është që ne të bëjmë gati lojtarët nga akademitë të krijuara rishtazi, nga klubet që kanë ekipe zinxhirë, është që të krijohen lojtarë të një niveli të caktuar. Të mundohemi që këta të debutojnë për 1-2 vite në Superiore dhe pastaj t’i çojmë në futbollin e vërtetë. Më thuaj një rast që një lojtarë ka ardhur këtu, është rasti i parë ky i Seferit, i cili erdhi dhe bëri një kampionat fantastik. Në kampionatin e parë mu duk si ata rastet e zakonshme vjet. Është një lojtar që mua më ka pëlqyer gjithmonë. Mendoja që ishte në klubin e duhur. Mendoja për një karrierë të madhe për të. Jang Bojsi mu duk si klub i rëndësishëm. Mendoja se ishte një klub ku ai mund të luante. Mosluajtja e tij atje mua më vuri në dyshime për cilësitë e tij. Në dilema të mëdha ishim. Por ai me forcë karakteri, gjeti mbase edhe ambientin e duhur… Mua që në fillim më pëlqeu që ai erdhi me qejf te Tirana. Ka kthyer në fenomen një rast që ne tani mund ta shfrytëzojmë edhe për lojtarët e tjerë”, ka thënë redi Jupi./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *