Nesër në mbrëmje Tirana do të presë Makabin dhe i duhet një mrekulli e vogël, pas humbjes 2-0 në vajtje. Gjithsesi, Zhordi Krujf nuk e nënvlerëson Tiranën, edhe pse e pranon se fitorja në Izrael e favorizon jo pak Makabin: “Fitorja 2-0 është në rregull, si rezultat në shtëpi, por mendoj se deri në minutën e fundit nuk duhet të nënvlerësojmë askënd. Kemi si shembull historinë e Izraelit kundër Shqipërisë. Nuk mendoj se jemi në pozicionin që të mendojmë se gjithçka ka mbaruar”.
“Mendoj se Tirana erdhi shumë e përgatitur në ndeshjen e parë. Më pëlqeu mënyra se si u munduan të luanin, se si bënë presion dhe pres edhe më shumë këtu, por shpresoj të mos ketë përmbysje”.
“Shqipëria? Deri tani është mirë, më pëlqen, si çdo vend normal. Njoh disa lojtarë që kanë ardhur dhe firmosur këtu gjatë verës, do t’i pyes se si ia kanë kaluar, se si është këtu. Moti? Mendoj se kushtet e motit janë të njëjta, ka edhe më shumë lagështirë në Izrael. Nëse do të kemi probleme, nuk e pres të vijnë nga moti”.
“Kemi bërë dy javë përgatitje, kemi afruar dhe larguar disa lojtarë, ndaj nuk jemi në formën maksimale. Por mendoj se jemi gati për këtë ndeshje. Ne luajmë jashtë fushe, e dimë që kundërshtari duhet tër rezikojë, të kërkojë sa më lart topin, si në ndeshjen e parë dhe duhet të jemi gati për këtë”.
“Synimi ynë? Makabi ka qenë rregullisht në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve apo Ligës së Europës në vitet e fundit. Sigurisht që objektivi mbetet ai”.