Abazaj e ka gjetur golin në Superiore, duke e tundur rrjetën e Tiranës në fitoren 2-1 të verilindorëve. Pikërisht ndaj ekipit që konsiderohej si i pamposhtur deri në javën e pestë të Superiores.
I ftuar në emisionin “Procesi Sportiv”, futbollisti që zotërohet ende nga Anderlehti, ka folur për objektivat madhore të Kukësit në elitën e futbollit shqiptar.
“Kukësi siç dihet ka objektiva madhore. Duhet të ecim sa më mirë në Europë. Do arrijmë maksimumin. Tirana kishte një ekip shumë të fortë, por edhe në kemi lojtarë shumë të mirë, sidomos në aspektin sulmues.
Me këtë tre pikësh risjellim qetësinë. Unë presidentin vetëm para ndeshjes me Tiranën e kam takuar. Gjithmonë thonë se ka shumë presion nga ana e tij. Sigurisht që ka pasur disa trazira pas humbjes me Bylis. Nuk mundet të mund një ekip i vogël, nëse pretendon gjëra të mëdha. Dëgjova se kishte një zënkë pas ndeshjes, por unë isha jashtë stadiumit. Për shumë njerëz ky kthimi quhet një hap mbrapa dhe kanë të drejtë, pasi atje ku isha unë dhe të vish te Kukësi, nuk është hap para”, ka thënë Abazaj. /Sport Ekspres/