Në Shkodër duket se krimi është ulur sheshit. Kohët e fundit ka pasur disa vrasje, ndërkohë që Policia e Shtetit ka ndërmarrë një aksion dhe ka bërë disa arrestime për të shkatërruar grupin “Bajri”.
Mes të arrestuarve janë edhe dy njerëz të sportit. Armir Grimaj, ish-portieri i Vllaznisë, aktualisht trajner i kombëtares së Femrave, është mes të ndaluarve nga Policia. Gjithashtu e njëjta gjë ka ndodhur edhe me portierin Fabjol Rexhepi, i cili ka qenë pjesë e Besëlidhjes dhe Vllaznisë në të shkuarën.
NJË PJESË E NJOFTIMIT TË POLICISË SË SHTETIT – Të gjitha arrestimet janë kryer me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Ata janë:
1. Behar Brajoviq (Bajri) arrestuar në Roterdam, Holandë;
2. Samet Halluni, i arrestuar në Roterdam, Holandë;
3. Ilir Rustemi, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;
4. Emrah Plaku, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;
5. Astmer Bilali, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;
6. Armir Grimaj, arrestuar në Shkodër;
7. Safet Rustemi (Bajri), i arrestuar në Tiranë;
8. Fabiol Rexhepi, i arrestuar në Shkodër;
9. Ismet Idrizi, i arrestuar në Shkodër;
10. Denis Brajoviq, i arrestuar në Tiranë;
11. Klaudio Hoxhalliu, i arrestuar në Tiranë.
Akuzat ndaj anëtarëve të këtij grupi kriminal janë: “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim, “Vrasje me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “Organizim i llotarive të palejuara”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Përkrahje e autorit të krimit”, ‘Moskallëzim krimi”, “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”, vepra penale këto të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.