Partizani ka arritur që të fitojë thellë ndaj Teutës së Shkëmbit në shifrat 1-4. Të kuqtë kaluan të parët në avantazh nëpërmjet Hotit, pas 2 minutash loje, teksa gjithçka u barazua me anë të Grudës. Më pas ishte Da Silva, sërish Hoti dhe Skuka që vendosën historinë e takimit. Kështu kryeqytetasit dalin nga një moment jo i mirë, ndërsa “djemtë e detit” fundosen sërish.
Nga krahu tjetër Vllaznia i ka marrë një fitore Bylisit, nga ato që janë jo pak të hidhura. Shkodranët ishin cinik duke fituar me shifrat 2-1 falë golave të Markut dhe Jonuzit. Damcevski do të shkurtonte diferencat në të 82, por kjo nuk mjaftoi që ekipi i tij të dilte me pikë. Perla e Jonuzit do t’i godiste ballshiotët në momentin e tyre më të mirë ku kërkohej barazimi, teksa e ngritën jo pak nivelin në pjesën e dytë. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për Oversport:
Presidenti i Bylisit: “Kur Antoni Beji shkoi vetëm për vetëm me porterin dhe arbitri ndaloi lojën. Ishte shumë flagrant. Ishte 1-0 dhe ne do të barazonim. Pastaj ishte dhe rasti i penalltisë në fundin e ndeshjes. E kam parë që në fillim të ndeshjes një tendencë për të favorizuar Vllazninë. Është një kastë e vjetër, arbitra që duan të dëmtojnë Bylisin. Beqiri me bilbil në gol dhe Kridensi te VAR. Këta arbitra nuk do të jenë kurrë kur luan Bylisi. FSHF ka bërë shumë progres, por këta arbira po na dëmtojnë. Nuk ka më Kridens Meta te VAR dhe kasta e vjetër. Duam arbitra të rinj, ata na kanë drejtuar mirë.
Bledi Shkëmbi: “Nuk duhet t’ia bënim aq të thjeshtë fitoren Partizanit. Gabuam shumë te tre golat e parë. Tre gjuajtje në portë dhe të tre golat. Kur e pësuam në golin e parë reaguam, por pastaj vazhduam me të njëjtat gabime. Nuk është për justifikim, por kishim tre mungesa të rëndësishme sot dhe e vuajtëm. Ne kemi besim se do ta kthejmë situatën për mirë”.
Mirel Josa: “Ia kisha thënë djemëve gjatë gjithë këtyre ditëve që do ta kishim të vështirë me Bylisin. Sot e menaxhuam deri diku ndeshjen se arritëm të shënonim golin e dytë. Por pastaj nuk shkoi mirë, e pësuam golin dhe u vendosëm në presion në ato 5 minutat e fundit. Boshnja ndjeu shqetësim në Laç kur u aktivizua pak. Prandaj është më mirë që të mos aktivizohet. Ne kemi nevojë për sulmues më cilësor ose që të ndërtojnë më tepër. Kaina, në 3-4 raste kur kishte topin në zotërim, duhej të shërbënte më mirë”.
Kolela: “Zakonisht jam i kënaqur kur fitoj diçka, nuk kemi fituar ende asgjë. Nuk kam qenë kurrë i shqetësuar për ekipin pasi e godasim shpesh portën, herët a vonë do të vinin edhe golat. E mbyllim fazën e parë në vendin e parë, por kjo nuk ka shumë rëndësi. Kartonët e verdhë? Kur merren me protestë, sigurisht që të shqetëson, por më pëlqen kur merren për faulla të bërë. Të fitosh 1-4 në transfertë është gjithmonë një ndjesi e mirë, tregues i forcës tonë. Ne punojmë që ta shohim Partizanin gjithmonë në tilla nivele. Ndonjëherë na shkon mirë dhe ndonjëherë na shkon keq. Kam debutuar këtu në Durrës dhe kam fituar në ndeshjen e parë, do të vijmë më shpesh në Durrës”.