Krenari për Europianin U17 dhe “harresë” për emërimin e Dukës zv. president të UEFA-s, komentuesit i kujtojnë Ramës të urojë kreun e FSHF-së

Sot u shenjua një ditë mjaft e rëndësishme për futbollin shqiptar. Për herë të parë në histori, një shqiptar do të jetë numri 2 i UEFA-s. Qeveria europiane e futbollit vendosi unanimisht që Armand Duka të jetë zëvendës presidenti i UEFA-s. Një post ky që erdhi gradualisht, teksa presidenti i FSHF-së më herët është zgjedhur dy herë radhazi anëtar i Komitetit Ekzekutiv. Sigurisht që një arritje e tillë rrit edhe emrin e Shqipërisë në arenën europiane, si dhe dëshmon besimin e madh të vetë UEFA-s për institucionin e futbollit shqiptar.

Por ky nuk ishte i vetmi lajm i mirë për vendin tonë, pasi u vendos që Shqipëria të organizojë Kampionatin Europian për moshën U17, që do të luhet në vitin 2025. Ky njoftim ka mbërritur edhe në veshin e Kryeministrit Edi Rama, i cili nuk ka nguruar ta reklamojë në rrjetet sociale përzgjedhjen e Shqipërisë si vendin organizator për këtë kompeticion. Krenari për Europianin U17, por heshtje për zgjedhjen e kreut të FSHF-së zëvendës president të UEFA-s.

Rama “harron” të urojë Dukën, por komentuesit nuk e lejojnë ta ketë kujtesën e shkurtër. Jo të paktë kanë qenë personat që kanë komentuar në postimin e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, që të urojë Armand Dukën, falë të cilit Shqipëria nuk është më thjesht një anëtare e UEFA-s, por është kthyer në një pikë të rëndësishme në organizmin më të lartë të futbollit europian. Koha për të lënë mënjanë hatërmbetjet personale dhe për t’i dhënë dorën sukseseve që ngrenë lart emrin e vendit tonë. Në fund të fundit, ajo që fiton në këtë mes është Shqipëria dhe futbolli shqiptar./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *