Mbrojtësi Gëzim Krasniqi tashmë është sistemuar në Maqedoni, te Rabotniçki, por nuk është shuar ende jehona e largimit të tij dhe Vilës e Malotës nga Partizani, në fillim të janarit. Një largim i befasishëm për të gjithë, edhe për vetë lojtarët, që nuk kishin marrë asnjë sinjal largimi, siç e pranon edhe vetë Krasniqi, i cili në “Zona Gol” në Supersport foli për largimin e tij, duke mos e fshehur dëshpërimin, ndërsa e shqetëson edhe përjashtimi i fundit, i Trashit.
– Si erdhi largimi, kur e morët vesh?
“Ditën para nisjes për në Turqi shkova të përshëndetesha me familjen, kur na erdhi një mesazh në mesditë për takim me drejtorin Olsi Rama, i cili mua, Malotës dhe Vilës na dha lajmin që nuk ishim më pjesë e ekipit të parë. Na erdhi si bombë, nuk e prisnim të jem i sinqertë, sepse ne po bëheshim gati për nisje në Turqi.
– Kush e vendosi largimin?
“Pyeta drejtorin Rama dhe na tha që ishte vendosur nga mbledhja mes presidentit, drejtorëve e trajnerit, pra Starova ka qenë në dijeni të largimit të tonë, 100%. Të jem i sinqertë, trajneri ka qenë në dijeni dhe dakord për gjithë largimet”.
– Probleme me Starovën?
“Nuk kisha luajtur shumë kohët e fundit dhe ia kisha kërkuar një sqarim Starovës, por më tha që të mendoja të stërvitesha dhe të mos e mbaja mendjen aty, sepse do të vinte shansi im”.
– Trashi dhe dënimi i tij?
“Ai ka disa sezone që mban peshë të madhe në skuadër dhe më duket i padrejtë dënimi i tij. Do të jetë një minus i madh kalimi i tij në Partizanin B si dënim. Ai duhet të jetë fushë që të premten e ardhshme, sepse Partizani nuk e ka luksin që të heqë Trashin, apo Krasniqin, Vilën e Malotën, dhe t’i zëvendësojë kaq lehtë. Mendoj se klubi ka gabuar”.
– Çfarë nuk shkon te Partizani?
“Mendoj se është prishur pak harmonia e grupit, nuk e di”.
– E ardhmja e Partizanit?
“Të them të drejtën, nuk më duket aspak e mirë, por uroj që të kthehet aty ku i takon”.