Andrej Kramariç është një ndër futbollistët që do të përfaqësojnë Kroacinë në Kupën e Botës në Rusi dhe historia e tij është një histori triumfi kundër gjithë pengesave, kundër një sistemi kanceroz që ka zaptuar futbollin kroat prej dekadash.
Gazetari kroat Aleksandar Holiga, për The Guardian, ka përmbledhur historinë e jetës së Kramariç, një sulmues që ende nuk konsiderohet në nivelin e Manxhukiç apo Kaliniç, por që në Kroaci është shumë i respektuar, jo thjesht për dy golat që vlejtën fitoren ndaj Ukrainës në finalen play-off për një vend në Rusi 2018.
Historia e Kramariç lidhet ngushtë me Zdravko Mamiç, oktapodi që ka mbërthyer futbollin kroat prej shumë vitesh. Bosi i Dinamos së Zagrebit tashmë është në gjyq nën akuzën e përvetësimit të miliona eurove nga Dinamo e Zagrebit, por është vetëm një nga akuzat.
Në Kroaci e dinë të gjithë që Mamiç vepronte edhe si agjent futbollistësh, firmoste me ta që kur ishin të rinj të panjohur dhe u merrte një pjesë të madhe të fitimeve nga transferimet. Edhe shitjet nga Dinamo e Zagrebit drejt klubeve të tjera çonin në xhepat e Mamiç miliona, ndërkohë që ai akuzohet se ka depozituar në Federatën Kristen edhe kontrata të parregullta, pa dijeninë e lojtarëve, pas shitjes së tyre, duke u marrë përqindje të mëdha fitimi.
Në gjyq janë thirrur edhe Lovren e Modriç, të cilët fillimisht pranuan se disa klauzola në kontratat e tyre ishin shtuar pas shitjes së tyre, por me pas ndryshuan dëshmi, duke përfunduar edhe vetë nën akuzë për dëshmi të rreme, ndërsa imazhi i tyre në Kroaci është shkatërruar.
E kundërta ka ndodhur me Kramariç, i cili nuk pranoi kurrë të firmoste kontrata të tilla me Mamiç he i shpalli luftë atij, derisa Dinamo e shiti të Rijeka, pas disa sezonesh ku nuk po luante rregullisht e po huazohet nga një klub në tjetrin.
Te Rijeka Kramariç shpërtheu, me 55 gola në 2 sezone, duke kaluar në janar 2015 te Lester Siti në Angli. Aty nuk i eci, preferoi të largohej për të luajtur futboll, edhe pse vitin pasardhës Lesteri doli kampion Anglie.
Kramariç shkoi tek Hofenhajmi dhe u bë superstar, duke u zgjedhur Lojtari i Sezonit 2016/17 nga tifozët e Hofenhajmit dhe duke u përfshirë në formacionin e Bundesligës për sezonin e sapombyllur nga revista Kicker.
Tani Kramariç shpreson ta tregojë veten edhe në Kupën e Botës, sepse ka treguar që është vendimtar për Kroacinë, sa herë luan. Një histori suksesi, në fushë dhe jashtë saj, për një lojtar të respektuar dhe të admiruar mbi të gjitha për karakterin e vet.