Në stolin e Vllaznisë në dy ndeshjet e fundit të sezonit, ku jo për fajin e tij nuk arriti të bënte mrekullinë. Ervis Kraja mbetet një prej kandidatëve potencialë për të qenë sërish ai trajneri i kuqebluve, me ekipin që mbetet pushim prej afro dy muajve.
Edhe pse situata e krijuar në klubin shkodran ka ngritur shumë pikëpyetje, Kraja shfaqet optimist. “Ka ardhur koha që klubi të riorganizohet pas një pushimi të gjatë. Mendoj se klubi do të nisë funksionet shumë shpejt”, tha trajneri që vazhdoi: “Them se drejtuesit do të bëjnë më të mirën e mundshme që Vllaznia të ngjitet atje ku i takon, sa më shpejt”.
Me kampionatin e Kategorisë së parë që nis në shtator, Kraja tha: “Nuk mund të them që jemi shumë të vonuar në përgatitje, por tani që ka hyrë muaji korrik duhet të nisin lëvizjet për të vënë çdo gjë në funksion. Jam pjesë e ekipit B, por e mendoj veten si trajner i skuadrës së parë. Pavarësisht nëse disa lojtarë mund të largohen, Vllaznia do të jetë në nivelet më të larta dhe për një vit do të kthehet në Superiore”.