Vllaznia duket se është në një ligë më vete, pasi po tregon një formë fantastike. Shkodranët fitojnë gati çdo ndeshje, por gjithashtu zhvillojnë një lojë të ngjashme me skuadrat elitare evropiane. Teksa vitin e kaluar veriorët ishin duke luftuar për mbijetesë dhe shpëtuan vetëm në play-out, në këtë sezon, me afrimin e një investitori të ri, duket se ecin të sigurtë drejt titullit kampion. Ish-futbollisti shkodran i Vllaznisë, por dhe i Partizanit, Luan Zmijani, aktualisht trajner i moshave të Shkodrës, ka folur për situatën e Vllaznisë në “Rubrika Sportive” të cilën e krahason me Leiçesterit.
“Kënaqësia është shumë e madhe, kishte vite që nuk e shihnim një Vllazni të tillë, me këtë mënyrë loje, me kaq emocion, me kaq dëshirë. Të gjithë janë të etur për të luajtur një futboll të bukur dhe për të fituar. Absolutisht që nuk e kemi pritur këtë skuadër. Edhe nëse ka, që thonë se e kemi pritur një ecuri të tillë, ai nuk është realist. Është komplet e papritur, mund të bëjë një paralelizëm, me Leicesterin në Premier Ligë, kur u shpallën kampion. Uroj të kemi edhe ne fatin e tyre”- u shpreh Zmijani. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/