Kostas Manolas, poema e pashkruar nga Homeri

Iliada dhe Odisea… Dy poemave të mrekullueshme të Homerit legjendar të Greqisë së Lashtë u shtohet edhe një tjetër kryevepër: Kostas Manolas! Karriera dhe ndoshta historia për t’u treguar e një futbollisti në vetëm dy data të rëndësishme, që shënuan edhe rrugëtimin e mbrojtësit, i cili vetëm një javë më parë shënonte autogol në Camp Nou, për t’u ringritur si Anteu!

26 gusht 2014 – Është kjo data kur mbrojtësi i Olimpiakos Pireut vendos të braktisë Greqinë duke provuar veten në një kampionat tjetër dhe në një shtet tjetër, jo shumë larg helenëve. Roma beson te djaloshi dhe paguan 13 milionë euro për mbrojtësin e kombëtares së Greqisë dhe më i miri i kampionatit në vitet e tij me AEK-un dhe Olimpiakosin. “Roma ka bërë goditjen e madhe”, do të shkruanin në atë kohë gazetat helene, teksa në Itali ende kishin mëdyshje për vlerat dhe sidomos zotësinë e lojtarit. Ndoshta sepse të gjithë mbanin mend vetëm Torosidis… Manolas nis të tregojë vlerat e tij në kampionatin e Serisë A, teksa nis të bëhet titullar i padiskutuar i mbrojtës verdhekuqe.

28 qershor 2017 – Një datë e cila shënoi thellë rrjedhën e karrierës së Manolas. Vera sapo kishte nisur dhe ditët e para të nxehta shoqëronin qytetin e Romës, teksa klubi verdhekuq po fërkonte duart për një shumë të barabarë me 40 milionë euro. Aq do të përfitonte nga transferimi i grekut në Rusi, te Zeniti i Shën Pjetërburgut. Por, në klinikën mjekësorë “Villa Stuart”, ku mjekët prisnin mbrojtësin të kthehej nga pushimet, ai nuk paraqitet. i telefonojnë, por ai e ka fikur dhe nuk kthen asnjë mesazh, ashtu sikurse edhe agjenti. Te Zeniti xhindosen dhe kërkojnë shpjegime, ndërsa Roma nuk e ka idenë se çfarë po ndodh në të vërtetë, por bilanci duhet rregulluar, ndryshe “fair play” financiar do të kthehej në bumerang. Mançini urdhëron tërheqjen e Zenitit nga akordi, teksa mediet italiane zbulojnë të vërtetën: greku refuzoi Zenitin sepse dëshironte që të paguhej me euro dhe jo me rubla ruse…
Ndërkohë, diçka tjetër po kurdisej. Sipas medieve, Manolas kishte akord me Interin dhe ndaj veproi kështu, ndërsa për të tjerë do të ikte te Çelsi i Kontes. Por, asgjë nga këto nuk ndodhi. Manolas rinovoi deri në vitin 2022, teksa në Londër shkonte Rydiger për 29 milionë sterlina (thuajse 36 milionë euro) dhe te Zeniti transferohej Paredes. Roma rregulloi bilancet, ndërsa mbajti Manolas, që në fillim e pati të vështirë, mes vërshëllimave të publikut, teksa disa e quanin edhe mercenar. Por, me kalimin e kohës, Manolas rifitoi respektin që humbi atë verë, duke u rikthyer në një nga bazat e të ardhmes për verdhekuqtë… Presidenti Palota siguron se “Manolas nuk do të shitet, pasi është tepër i rëndësishëm për ne”…

Nëse Homeri do të ishte ende gjallë, mbrëmë do të kishte kënduar ose shkruar poemën më të bukur: minuta 82’, goditje këndi dhe një turk që kroson për një grek, i cili e devijon në rrjetë topin dhe ndez “Olimpico”-n, Romën, Italinë, por edhe Greqinë… Pikërisht ai, Kostas Manolas, një hero modern por edhe antik. Ai që sot mund të ishte jashtë Champions me Çelsin e Kontes dhe Zenitin e Mançinit…

“Me këtë publik, askush nuk na mund”

“Me publikun tonë, askush nuk na mund dot! Nuk më intereson që jam greku i parë që shkruaj historinë me Romën…”. Pas ndeshjes, Kostas Manolas ka folur për Mediaset Premium i emocionuar dhe lumtur për arritjen e madhe. “Di të them që kaluam me skuadrën më të mirë në botë. Kemi besuar, edhe pse të penalizuar. Jemi të fortë dhe meritojmë më të mirën. Vinim nga 3 rezultate negative, besuam dhe ia arritëm”, tha greku, që më pas u shpreh: “Nëse do të jetë gjithmonë ky publik, do të shihni se fitojmë gjithmonë”. A është Roma mina me sahat? “Po, e merituam, për ne dhe për tifozët”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *