Ardit Jaupaj shënoi një gol shprese në Trepça ’89-Flamurtari, ndeshja e parë e Ligës së Kosovës për edicionin e ri. Trepça ’89 fitoi 3-1 dhe goli i Jaupajt nuk pati vlerë, megjithatë ishte simbolik. Jaupaj shkoi në Kosovë nga Partizani dhe ai nuk do jetë i vetmi lojtar shqiptar që do luajë në Kosovë. Në 10 vitet e fundit klubet e Shqipërisë janë furnizuar ndjeshëm me futbollistë nga Kosova, ndërsa tani gjërat po ndryshojnë. Duke qenë se lëvizjen e lojtarëve e kondicionon tregu, rrjedhimisht kampionati në Kosovë është rritur ndjeshëm. Investimet janë shtuar, ndërkohë që euforia është e madhe. Pas luftës ky mund të jetë ndoshta një ndër kampionatet më të ndjekura. Trepça ’89është favorite, ndërkohë që Prishtina dhe Drita janë vetëdeklaruar me objektivin titull.
Kolonia e kampionatit shqiptar që është zhvendosur në Kosovë është te Liria e Prizrenit. Shkëmbi dhe të besuarit e tij do debutojnë të dielën në Gjakovë, në një derbi interesant. Bakaj, Basriu, Vrapi, Kote, Sefa dhe Magani kanë lënë Superioren për dy arsye, kushte më të mira financiare dhe ambicie për të qenë surpriza e kampionatit.
Në Kosovë njerëzit kanë besim se në harkun e disa viteve kjo do jetë një ligë konkurruese, do prodhojë lojtarë të rëndësishëm dhe do fillojnë të rriten dhe në Europë. Tani shqiptarët kanë një tjetër treg ku mund të shfaqin se sa vlejnë.