Kosova është ende në kërkim të ethshëm për trajner të ri dhe nuk po arrin të vendosë, mes shumë kandidaturave. Problemi është se duhet gjetur një mesatare mes emrit të madh të trajnerit dhe anës financiare, ndaj është goxha e vështirë për të vendosur.
Javët e fundit ka pasur edhe emra të vetofruar, ndërsa një trajner Italian ka arritur deri aty sat ë shprehet se nëpërmjet palëve të treta ka dhënë “OK” për t’u bërë trajner, por realisht duket se ka qenë më shumë autoreklamë, sesa ka pasur ofertë.
“Sport Ekspres” mëson se ditët e fundit Kosova ka bërë një tentativë të bujshme, duke ia ofruar stolin e Kosovës një emri të madh si Slaven Biliç. Kroati la Uest Hemin para pak javësh, ndërsa më parë ka drejtuar edhe Hajduk Splitin, Lokomotiv Moskën e Beshiktashin, por mbi të gjitha drejtuar Kroacinë U-21 në periudhën 2004-2006 dhe më pas për 6 vite Kroacinë, duke arritur rezultate të shkëlqyera.
Megjithatë, Biliç ka refuzuar, duke pritur ndonjë ofertë më të mirë, sidomos në aspektin financiar, ndërkohë që kërkon të vazhdojë të punojë me klube.