“Kosova ka 6 yje, por nuk ka vend për shqiptarët”! Ismajlit i tjetërsohen fjalët: Nuk e mbaruat luftën, do ju padis!

Ardian Ismajli nuk mund të qëndrojë kurrë në qetësi! Që në momentin kur mbrojtësi zgjodhi që të kalonte te Shqipëria është hasur shpeshherë me disa kritika dhe të pavërteta që vijnë nga disa media në Kosovë. Por këtë herë caku është kaluar! Ismajli dha një intervistë për “La Nazione La Spezia” ku mes të tjerash foli edhe për ndërrimin e zgjedhjes së tij duke u shprehur:

“Të luash për ekipin kombëtar shqiptar është një ëndërr e madhe sepse ekipi kombëtar përfaqëson të gjithë shqiptarët që u ndanë pas luftës në 6 vende të ish Jugosllavisë dhe ata që padyshim jetojnë në pjesë të tjera të botës. Ndërsa ekipi kombëtar i Kosovës përfaqëson vetëm Kosovën. Të luash për ekipin kombëtar shqiptar është një privilegj, por unë ende ndjek me shumë dashuri edhe Kosovën ku kam lindur dhe jam rritur”, tha Ismajli.

Por në disa media këto fjalë janë tjetërsuar me dashakeqësi duke vënë në gojën e Ismajlit: “Kosova i ka 6 yje që tregojnë se janë 6 nacionalitete të ndryshme që nuk kanë lidhje fare me shqiptarët. Të luash me Shqipërinë i përfaqëson të gjithë shqiptarët dhe kombin tonë pasi identifikohemi me flamurin kuqezi”.

Si i komentoni këto fjalë? Në këtë mënyrë është parashtruar në disa media edhe deklarata “imagjinare” e Ismajlit duke ftuar të gjithë lexuesit që të shprehnin mllëfin e tyre dhe të nxirrnin nga repertori lumin e të sharave për fjalë që nuk janë thënë kurrë. E mbi këtë situatë ka ardhur reagimi i fundit i Ardian Ismajlit që është shprehur se avokatët e tij do të merren me këtë rast për të paditur mediat. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *