Kosova e mbyll me një zhgënjim aventurën në Ligën e Kombeve, pasi është mposhtur me rezultatin 3-0 nga Irlanda në transfertë. Në takimin e zhvilluar në Dublin, vendasit arritën të merrnin një fitore të rëndësishme, ndërsa përfaqësuesja e drejtuar nga Franco Foda nuk arriti të përballonte presionin e kundërshtarit.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë, ku të dyja skuadrat kërkuan të gjenin rrugën e rrjetës. Megjithatë, momenti që ndryshoi rrjedhën e takimit erdhi në minutën e 26-të. Mbrojtësi i Kosovës, Kreshnik Hajrizi, ndali me dorë një top që po shkonte drejt portës, duke shkaktuar një penallti dhe duke u ndëshkuar me karton të kuq.
Irlanda përfitoi menjëherë nga superioriteti numerik. Troy Parrott mori përsipër ekzekutimin e 11-metërshit dhe në minutën e 28-të dërgoi topin në rrjetë, duke kaluar vendasit në avantazh.
Sulmuesi irlandez u tregua sërish i saktë nga pika e bardhë në minutën e 50-të, duke realizuar golin e dytë personal dhe të ndeshjes. Kosova e kishte shumë të vështirë të reagonte me një lojtar më pak në fushë, ndërsa Irlanda vijoi të kontrollonte lojën. Goli i tretë erdhi në minutën e 75-të. Jack Moylan përfitoi nga një aksion i vendasve dhe me një goditje me kokë vulosi shifrat përfundimtare në 3-0. Kështu, Kosova e mbyll Grupin B3 në vendin e tretë me 6 pikë, ndërsa Irlanda përfundon e dyta me 8 pikë, duke siguruar një vend në fazën e play-off-it për ngjitjen në Ligën A. Një mbrëmje për t’u harruar për “Dardanët”, të cilët tashmë duhet të përqendrohen te sfidat e ardhshme dhe të nxjerrin mësimet e duhura nga kjo humbje. /Sport Ekspres/