Korça në këmbë: Tubim paqësor për Skënderbeun

Lajmet e fundit nga UEFA kanë vënë në lëvizje qytetin juglindor. Intelektualë, personalitete dhe të tjerë gjithë qyteti nesër në një tubim qytetar

Leonard Trebicka

Skënderbeu ka vënë në lëvizje qytetin e Korçës. Prej disa ditësh është bërë i ditur lajmi se ka një kërkesë të inspektorëve të UEFA-s për një dënim 10-vjeçar nga Europa dhe 1 milion euro gjobë për Skënderbeun. Një lajm, që po përjetohet shumë në qytetin e Korçës. Të gjithë janë ankth dhe duan ta mbështesin skuadrën e zemrës. Për këtë arsye, nesër është menduar të organizohet një tubim paqësor qytetar në mbështetje të Skënderbeut. Korçarët nuk duan ta pranojnë në asnjë moment se skuadra e tyre të dënohet sërish, kur dy vjet më parë e ka marrë një dënim. Në Korçë gjykojnë se Skënderbeu është krenaria e qytetit dhe e futbollit shqiptar në këtë moment. Lajmet e fundit nga UEFA kanë zgjuar qytetin dhe nesër, në orën 13:30, të gjithë do të bashkohen në një tubim qytetar. Organizimin e këtij tubimi e bëjnë intelektualët e Korçës dhe ky është vetëm hapi i parë, pasi në vazhdim do të ketë hapa të tjerë në mbështetje të skuadrës së zemrës.

TUBIMI – Organizatorët e këtij tubimi në qytetin e Korçës mësohet se tashmë kanë marrë edhe lejen nga Policia dhe kanë bërë gjithçka gati për nesër, në orën 13:30. Takimi i qytetarëve do të jetë në qendër të qytetit, përpara Katedrales. Bëhet fjalë për  një tubim krejtësisht paqësor, thjesht në mbështetje të skuadrës së futbollit, që sipas korçarëve, nuk meriton të dënohet. Grupi organizator i tubimit ka ftohen të gjithë qytetarët korçarë të mos mungojnë, sepse Skënderbeu më shumë se kurrë ka nevojë për mbështetje. Sipas organizatorëve, do të jenë intelektualë të shumtë në qendër të tubimit, ku nuk do të mungojë i pari i këtij qyteti, kryebashkiaku Sotiraq Filo. Do të ketë disa fjalime dhe më pas pjesëmarrësit do të marshojnë nga Katedralja për në qendër dhe për të përfunduar te teatri “Andon Zako Çajupi”.

Për 60 minuta, mijëra qytetarë të Korçës do të jenë përkrah skuadrës korçare. Është hera e parë që në qytetin më të madh juglindor të Shqipërisë ndodh një gjë e tillë. Skuadra e futbollit rrezikon dhe askush nuk është dakord që kjo ëndërr e madhe të shuhet në këtë mënyrë. Lajmërimet për këtë tubim kanë filluar që dje dhe mësohet se të gjithë pjesëmarrësit do të firmosin një kërkesë, që do t’u drejtohet të gjitha organeve më të larta të futbollit, UEFA-s dhe FIFA-s për të mos e dënuar Skënderbeun. Kjo nismë pritet të ketë mbështetje maksimale nga qytetarë të tjerë në rrethe të ndryshme të vendit. Organizatorët duan që të gjithë të tregojnë qytetari, siç Korça e ka traditë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *