Albi Çekiçi, “bombarduesi” i Pogradecit që sfidon edhe milionerët e Tiranës

0

Albi Çekiçi i vetëm ka shënuar 11 gola, ndërkohë që dy nga lojtarët më të paguar të së Parës që luajnë me Tiranën kanë realizuar 20 gola: Po të luaja me Tiranën, sot do kisha shënuar 30 gola

Erjon Saliu

Në Kategorinë e Parë mund të gjesh shumë lojtarë të cilët edhe pse pa shumë bujë mund të luajnë edhe në Superiore. Madje, mund të paguhen shumë më pak, mjafton një rrogë minimale që ata të sfidojnë edhe shumë lojtarë të huaj që vijnë me “CV” të pasur dhe që marrin ndoshta edhe sa 5-fishi i lojtarëve shqiptarë në muaj. Albi Çekiçi është ai që ka rënë jo pak në sy deri më tani në të Parën. Luan me Pogradecin dhe në Kategorinë e Parë ka debutuar qysh kur ka qenë 16 vjeç, kjo edhe falë fizikut të tij të admirueshëm. Ai është rikthyer verën e shkuar në Pogradec dhe më parë ka qenë pjesë e skuadrës së Kamzës. Në janar pati shumë oferta, madje edhe nga Superiorja, por zgjodhi që të luajë në skuadrën e vendlindjes. Në grupin ku ai luan ka edhe sulmues me mjaft kualitet, si: Ngo e Sentamu, të Tiranës, që paguhen shumë më tepër nga Çekiçi, apo dhe Granado që ka ardhur së fundmi te Bylisi pa harruar Krasniqin e Apolonisë në pjesën e parë të sezonit. 11 gola që ka shënuar Albi Çekiçi deri më tani i vetëm, të gjithë me “peshë” dhe vetëm  1 me penallti! Jo vetëm kaq, sepse Çekiçi shënon gjithnjë gola me peshë, 8 herë ka shënuar golin e parë të ndeshjes për Pogradecin. Kjo tregon qartë se sulmuesi pogradecar është duke sfiduar dyshen e sulmit bardheblu, pavarësisht se edhe ata kanë kontribut jo të vogël që skuadra e tyre kryeson në Grupin B.

Çekiçi – Albi Çekiçi i cili është padyshim sulmuesi personazh në Grupin B, i kontaktuar dje nga “Sport Ekspres”, foli për synimet që ai ka dhe garën e vështirë për “Këpucën e Artë” me dy sulmuesit e Tiranës. “Unë kam luajtur kundër Tiranës, por di të them që më shumë po i ndihmon Tirana të dy lojtarët se anasjellas. Vërtetë paguhen shumë, por nuk është se kanë ndonjë diferencë të madhe. Po luajnë titullarë dhe mendoj se duhet që të kishin më shumë gola. Për aq gola sa kanë shënuar dhe duke pasur parasysh mesfushën që ka Tirana, unë po të isha sot pjesë e asaj skuadre do të kisha shënuar 30 gola. E them me shumë sinqeritet sepse dihen kualitetet që ka Tirana në mesfushë, janë futbollistë që mund të luanin edhe me ekipet më të mira të elitës. Do të synoj “këpucën e Artë”, jam i bindur se do t’ia dal. Madje, s’më pëlqejnë golat me penallti. Unë jam sulmues që nuk luaj vetëm “pykë”, por edhe nga krahët”, – tha Albi Çekiçi, sulmuesi i skuadrës së Pogradecit dhe një nga shënuesit më të mirë të së Parës.

Golashënuesit më të mirë

1-A. Çekiçi (Pogradeci) 11 gola

2-Y. Sentamu (Tirana) 11

3-B. Krasniqi (Apolonia) 10

4-M. Ngo (Tirana) 9

5-N. Zisi (Bylis) 8

6-R.Danaj (Shënkolli) 7

7-T. Marku (Kastrioti ) 7

8-S. Ajazi (Besëlidhja) 6

9-E. Karabeci (Tirana) 6

10-R. Mihana (Apolonia) 6

11-A. Pasha (Erzeni) 6

12-Ç. Onu (Tomori) 5

13-O. Kamara (Besëlidhja) 4

14-D. Dyca (Kastrioti) 4

15-K. Hyseni (Korabi) 4

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.