Konte: Sherret me Murinjon, pjesë e së shkuarës

Trajneri italian deklaron se do t’i japë dorën kolegut portugez, ndërsa ka refuzuar të flasë për të ardhmen e tij në stolin e Çelsit

Antonio Konte deklaron se marrëdhënia e tij e vështirë me Zhoze Murinjon është pjesë e së shkuarës dhe se do t’i japë dorën kolegut portugez, para finales së Kupës FA, sot pasdite. Dy trajnerët e njohur janë përfshirë në debate të ashpra që prej kalimit të Kontes në stolin e Çelsit, ndërsa sherri u ndez keqas kur Kupa FA nisi në janar, me ofendime që u bënë gjithnjë e më serioze. Megjithatë, Konte ka minimizuar gjithçka, në konferencën për shtyp zhvilluar dje: “Kjo nuk është e rëndësishme, nuk ka pse flasim kaq shumë për gjëra që kanë ndodhur në të shkuarën. Ekziston një marrëdhënie mes nesh. Do t’i jap dorën dhe secili do mendojë për ndeshjen”.

Konte konfirmoi se mbrojtësi i majtë Emerson është mungesa e vetme për finalen e sotme, ndërsa te junajtid është në dyshim Romelu Lukaku. Gjithsesi, për Konten nuk ka rëndësi nëse ish-sulmuesi i Çelsit do të luajë apo jo: “Po flasim për një lojtar të rëndësishëm, por Mançester Junajtid ka mundësinë të zgjedhë lojtarë shumë cilësorë. Nuk e di a do të jetë, por nëse Lukaku mungon ka të tjerë shumë të mirë pas tij”.

Për sa i përket së ardhmes së tij, Konte nuk flet: “Nuk e them dot me siguri nëse kjo do jetë ndeshja ime e fundit te Çelsi. Për mua dhe lojtarët e mi do jetë ndeshja e fundit e sezonit, kjo po. Pastaj, unë kam një kontratë dhe jam shumë i përkushtuar në punën që bëj. Për momentin mendoj për finalen, kjo është shumë më e rëndësishme sesa e ardhmja”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *