Interi do të përballet sot ndaj Slavia Pragës, në takimin e vlefshëm për “Champions League”. Në konferencën para ndeshjes së Antonio Contes, është diskutuar edhe një problem që është hapur shumë edhe te Kombëtarja e Shqipërisë.
Bëhet fjalë për skemën që përdoret nga ana e trajnerëve, në rastin konkret të tonin Rejës, por edhe të Contes që ka praktikuar gjithmonë atë me 3 mbrojtës. Kur një prej gazetarëve të pranishëm i shtron pyetjen nëse kjo skemë mund t’i rrezikojë triumfin në “Champions League”, përgjigja e tekniku italian është e drejtpërdrejtë.
Sipas tij ky është një diskutim tipik italian dhe se kjo temë nuk ka asnjë lidhje me rezultatin final që merret në fundin e takimit. Pra nuk ka rëndësi mënyra sesi rreshtohesh në fushën e blertë, por mënyra sesi e interpreton lojën. Njëkohësisht nga Conte vjen edhe përgjigja më e mirë për të gjithë kritikët e Rejës te Kombëtarja, që shprehen se kjo skemë nuk mund të jetë fituese.
“Për skemat e lojës, në Itali janë të vetmit që flasin dhe janë të fiksuar. Problemi është te mënyra sesi do e zbatosh ti skemën, te intesiteti që vendos në të, te presioni që i jep asaj. Të gjitha të tjerat janë vetëm gjepura, kur unë dëgjoj se nuk fiton dot me tre mbrojtës. Futbolli moderni po evoluon dhe ne duhet të ndjekim ritmin. Tani unë jam kthyer sërish dhe e prisja këtë lloj pyetje, porn ë vende si Anglia ata mendonin vetëm sesi të kënaqeshin, jo për formën sesi do e arrinin këtë”, ka thënë Conte. /Sport Ekspres/