Mesfushori francez Xhofri Kondogbia, i huazuar tek Valencia, por ende në pronësi të Interit, ka lëshuar një intervistë në Cadena Ser, që me siguri do të krijojë shumë polemika, sepse ka lëshuar një deklaratë të rëndë për Interin.
“Problemi i vërtetë tek Interi ishte çekuilibri. Ishte si një bordello: në dy vjet njoha 4-5 trajnerë, skuadra ndryshonte vazhdimisht çdo vit. Për këtë arsye një futbollist, sidomos një lojtar i ri në moshë, e ka shumë të vështirë të integrohet dhe të paraqitet në nivel të lartë. Një klub ka nevojë për stabilitet, të vazhdojë edhe kur gjërat nuk ecin mbarë në fillim. Klubi duhet t’i mbrojë lojtarët dhe trajnerin për të vazhduar përpara, por është e vështirë që një element edhe nëse është cilësor, të ketë një rendiment të mirë, nëse trajnerët e lojtarët ndryshojnë shpesh. Blerja ime kushton 25 milionë euro? T’i kisha paratë, do i paguaja nga xhepi”.