Edmond Lutaj prej 6 vitesh punon në Federatën Suedeze në rolin e koordinatorit, megjithëse ende vijon të ruajë lidhjen me Shqipërinë dhe me klubin e zemrës, Flamurtarin. Ish-trajneri vlonjat ka drejtuar skuadrën e qytetit të tij në Superiore, por në fundi nuk ishte ai që duhej mes tij dhe drejtuesit të atëhershëm të klubit.
Kësaj ngjarjeje i është rikthyer edhe njëherë në një prononcim për “Fan Zone”, ku është shprehur se kontrata dhe ai vetë u injorua e diçka të tillë nuk mund ta toleronte. Lutaj thekson se çështje të tilla zgjidhen përmes uljes në diskutim jo në atë mënyrë. Ndërkohë shprehet se ndjen keqardhje për gjendjen e tanishme të Flamurtarit, ku ia hedh fajin kompanisë që ka marrë në drejtim klubin.
“E dua shumë Shqipërinë dhe Vlorën. Sa më jepet mundësia vij aty. Në Suedi punohet në Shqipëri bëhet qejf. Suedia nuk ka izolim përveç moshës së tretë. Çdo gjë ka qenë e hapur, edhe klubet edhe futbolli. Shqiptarët që luajnë në Suedi? Fidan Alitin nuk e njoh nuk e di kush është. Asanin e njoh se e ndjek. Nuk kam kontaktuar me të. Situata tij është pak e vështirë, sepse i mbaron huazimi. Është pak në siklet sepse nuk i është dhënë mundësia të luajë.
Flamurtari? Një vit para meje ka pasur një sezon të shkëlqyer. Është vlerësuar shumë në atë kohë. Gjika u zhgënjye shumë që Flamurtari nuk ia doli të fitonte titullin. Ai kishte investuar shumë dhe atëherë më ofroi ekipin. Skuadra u ndryshua komplet, pothuajse ndërtuam një ekip të ri. Kishim mangësi në fianlizim, ajo ishte e meta jonë në atë kohë. Nuk doja të largohesha, mendoj Gjika u nxitua pak. Të gjithë trajnerët dhe lojtarët mund të hiqen, por ne kemi një kontratë. Gjërat zgjidhen me bisedë, jo në atë mënurë. Kontrata ime u injorua, unë u injorova. Këtë gjë nuk e toleroj. Duhet të ulemi dhe të diskutojmë për zgjidhjen e kontratës, mund të ishim ndarë më mirë.
Ndjej keqardhje për Flamurtarin. Një kompani që e ka marrë skuadrën për gjera të tjera dhe jo për futbollin. Kjo është gjendja e tij tani. Janë bërë gjëra në kurriz të Flamurtarit. Ekipet e mëdha gjithnjë ringrihen, edhe Flamurtari do e bëjë.“, ka thënë Lutaj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/