Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s mbajti sot mbledhjen e radhës ku u diskutuan çështje të ndryshme në lidhje me futbollin europian, ku më kryesorja ishte zgjedhja e vendeve që do të presin finalet e Kampionatit Europian ‘EURO 2028’ dhe ‘EURO 2032’ .
Në këtë mbledhje, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në cilësinë e zv.Presidentit të UEFA-s, Komiteti Ekzekutiv vendosi që Mbretëria e Bashkuar (Anglia, Irlanda e Veriut, Skocia dhe Uellsi) dhe Republika e Irlandës të presin finalet e Kampionatit Europian ‘EURO 2028’ ndërsa Italia dhe Turqia do të organizojnë së bashku finalet e Kampionatit Europian ‘EURO 2032’.
KE-ja miratoi gjithashtu kalendarin për mbledhjet e radhës si edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me anën administrative të UEFA-s.