Kreshnik Krepi do të jetë trajneri i ri i Kombëtares U-19 për femra. Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur t’ia besojë drejtimin e skuadrës kuqezi teknikut nga Shkodra, i cili ka eksperiencë si trajner në disa skuadra si Ada, Veleçiku, Besëlidhja, Tërbuni etj., teksa ka përvojë edhe në drejtimin e ekipeve të femrave. Krepi ka fituar dy trofe si trajneri i Juban Danjës.
Përveçse trajner, Krepi ka punuar ndërkohë edhe si pedagog në Universitetin e Sporteve të Tiranës. Tekniku do të nisë menjëherë punën me vajzat 19-vjeçare, pasi kjo skuadër po përgatitet për eliminatoret e Kampionatit Europian U-19. Ai zëvendëson në këtë post Maringlen Kulen.
Shorti i hedhur muaj më parë nga UEFA e ka vendosur Shqipërinë në Grupin B3 të Ligës B së bashku me Uellsin, Moldavinë dhe Andorrën.
Kualifikueset e U-19 për futbollin e femrave janë riorganizuar me vendimin e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s të vitit 2020, duke ndarë skuadrat në dy liga, A dhe B, me skuadrat e Ligës A që garojnë për t’u kualifikuar në Europian dhe skuadrat e Ligës B për t’u bërë konkurruese dhe për tu ngjitur një ligë më lart dhe për të arritur Kampionatin Europian.
Në Ligën A janë 7 grupe me nga katër skuadra, ndërkohë që në Ligën B janë gjashtë grupe me nga katër skuadra. Kombëtarja shqiptare U-19 do t’i zhvillojë ndeshjet në data 19, 22 dhe 25 tetor të vitit 2021, teksa vajzat tona do të tentojnë ngjitjen në Ligën A.