Ekipi kombëtar U-17 ka nisur sot një seleksionim 3-ditor në kompleksin “Tropikal” në Durrës.
Trajneri i sapoemëruar në pankinën kuqezi, Ervin Bulku ka thirrur në këtë grumbullim 26 lojtarë të vitlindjeve 2005-2006, të cilët janë pjesë e kampionatit shqiptar si dhe e kampionateve jashtë vendit e të cilët janë ndjekur me kujdes nga specialistët e sektorit të Ekipeve Kombëtare në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Përveç stërvitjes, tekniku Bulku do të ketë mundësinë t’i shohë kuqezinjtë edhe në një ndeshje miqësore, kundër Teutës U-17, që është planifikuar të zhvillohet ditën e mërkurë.
Teksa flet për këtë grumbullim, në një prononcim për fshf.org, trajneri Ervin Bulku u shpreh se janë grumbulluar lojtarë të kampionatit shqiptar por edhe të huaj dhe se seleksionimet do të vazhdojnë, me qëllim formimin e grupit për eliminatoret e Europianit.
“Vazhdojmë ciklin e seleksionimeve, duke parë që kemi shumë lojtarë, por mendoj që kemi një ide të qartë për lojtarët që aktivizohen nëpër skuadrat e moshave në Shqipëri. Tani kemi afruar edhe lojtarë nga jashtë, duke parë edhe vështirësitë që po kalojmë me pandeminë, duke parë që është shumë e vështirë, që lojtarët që ne kemi kërkuar e që kemi ftuar, ka pasur momente që e kanë pasur të pamundur të vijnë dhe ne i kuptojmë. Mendoj që do të kemi 2-3 seleksionime brenda Shqipërisë por edhe lojtarë që do kenë mundësi të vijnë, që ne të arrijmë së bashku me stafin të zgjedhim lojtarë dhe të krijojmë atë grupin që ne mendojmë që janë lojtarët më të gatshëm për momentin, duke parë që edhe gjatë rrugës mund të kemi lojtarë të tjerë, të cilët mund të jenë pjesë e Kombëtares U-17, ku do jenë edhe grupi që do marrin pjesë në eliminatoret e Europianit që është në muajt tetor-nëntor”, – theksoi për fshf.org Bulku
Më tej, tekniku kuqezi u shpreh se së bashku me trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave do të seleksionohen lojtarët më cilësorë
“Mendoj që në momentin kur ne do t’i kemi vëzhguar të gjithë lojtarët, si jashtë edhe brenda vendit dhe duke i parë dy-tre herë me grupe, sepse duhet të bëjmë krahasimin brenda grupit dhe aty do të shohim kush janë lojtarët më cilësorë sipas mendimit tonë. Lojtarët nuk do t’i seleksionoj vetëm unë me stafin tim, por edhe trajnerët e ekipeve të moshave sepse Federata Shqiptare e Futbollit ka si objektiv të punojë jo me individin por të punojmë si një grup, si një skuadër që të arrijmë të afrojmë sa më shumë lojtarë që t’i kemi të gatshëm për të ardhmen për në Shqipëri”- përfundoi Bulku prononcimin e tij.