Kombëtarja shqiptare e veteranëve do të luajë një ndeshje miqësore ndërkombëtare me ekipin holandez të Maastricht, SC Jekerdal. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se është arritur akordi që kjo sfidë të luhet më datë 20 prill në “Shtëpinë e Futbollit”.
Ky nuk do të jetë organizimi i parë i FSHF-së për këtë vit në lidhje me Kombëtaren e veteranëve, pasi muajin e kaluar në “Shtëpinë e Futbollit” u organizua edhe një turne i veçantë në formën e një “triangolareje” ku morën pjesë, Kombëtarja shqiptare e veteranëve, ekipi i veteranëve të Hanover-it dhe ekipi i veteranëve të Flamurtarit. Por jo vetëm kaq, pasi gjatë këtyre muajve Kombëtarja shqiptare e veteranëve ka pasur aktivitet të vazhdueshëm, duke zhvilluar seanca stërvitore por edhe ndeshje testuese në “Shtëpinë e Futbollit”.
Trajneri i skuadrës së veteranëve, Sulejman Mema, ka dhënë një intervistë për fshf.org ku ka folur rreth turneut që u zhvillua muajin e kaluar, por edhe për ndeshjen miqësore ndaj SC Jekerdal që do të luhet më datë 20 prill.
“Po kthehet tashmë në një traditë, që çdo javë të mblidhemi dhe të stërvitemi në “Shtëpinë e Futbollit”. Pjesë e Kombëtarës së veteranëve janë emra të mëdhenj që kanë lënë gjurmë dhe kanë shkruar historinë në futbollin shqiptar.
Muajin e kaluar organizuam një turne të veçantë në formën e një “triangolareje”. Dua të falënderoj Altin Lalën, Vasil Rucin, ekipin e veteranëve të Hanover-it, ekipin e veteranëve të Flamurtarit dhe Kombëtaren shqiptare të veteranëve . Turneun e fituam ne por rezultatet janë në plan të dytë, pasi të gjithë së bashku kaluam një kohë shumë të bukur dhe i mirëpritëm si duhet miqtë tanë nga Gjermania.