Sherif Kallaku është një nga thesaret e Superiores. Mesfushori i Teutës ka ditur gjithnjë si ti tregojë aftësitë e tij në fushën e lojës. Një futbollist me perspektivë, që padyshim në të ardhmen mund ta shohim në tjetër kampionat. Në fund të fundit kjo është edhe dëshira e vetë kapitenit të Shpresave të Shqipërisë, i cili është përfolur edhe më parë për një largim nga Teuta në verë.
Kallaku ka qenë ditën e sotme i ftuar në emisionin “Fan Zone” në “Supersport”, ku ka prekur edhe temën e merkatos. Lojtari i Teutës e ka tregon hapur se e sheh veten në një tjetër kampionat jashtë Shqipërisë. Ndërkohë ka folur edhe për kombëtaren kuqezi, për të cilën ka thënë se është një pjacë e lartë, por duket i mbushur me besim se do ia dalë të veshë fanellën e Shqipërisë.
“Asnjëherë nuk kënaqem me performancat e mia. Besoj shumë tek vetja dhe mendoj se mund të jap më shumë për ekipin. Dëshira ime është që të luaj për një kampionat jashtë Shqipërisë. Partizani? Dua ta shoh veten në një kampionat më të fortë. Duke parë edhe renditjen, Tirana këtë sezon e ka mbyllur. Do të jetë ajo kampione. Më ngroh disi më shumë.
Kombëtarja? I gatshëm që sot, por është një “pjacë” e lartë. Duhet të punosh shumë. Një ditë shpresoj se do të luaj për Kombëtaren.”, ka thënë Sherif Kallaku./Halit Delibashi-Sport Ekspres/