Presidenti i Nderit të Kukësit, Safet Gjici, ka qenë i ftuar ditën e sotme në emisionin “Fax Sport”. Në intervistën e dhënë për gazetaren Klevisa Alinani, kreu i verilindorëve ka folur për shumë çështje, duke nisur nga bojkoti dhe kërkesat e klubeve e deri te gjendja e klubit kuksian. Gjici është ndalur gjithashtu edhe në deklaratat e dhëna nga presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima, si dhe ka sqaruar përfundimisht zërat për atë dorëheqje të drejtorit sportiv, Nderim Nexhipi.
Bojkoti dhe kërkesat
“Duka dhe unë nuk kemi qenë për bojkot. Kemi qenë që futbolli të vazhdonte dhe paralelisht të fillonte bisedimi me Qeverinë për të shqyrtuar kërkesat, që për mendimin tim janë të drejta. Besoj se është në rrugën e duhur dhe kam përshtypjen që me takimin që ka bërë ditën e sotme Edi Rama me presidentin Duka, javën tjetër kampionati do të vazhdojë. Jam i bindur që do kemi zgjidhje të kërkesave të klubeve. Te Ligji për Sponsorizimin janë gjithë problemet që ka Liga”.
Kokëdhima
“Nuk dua të merrem me Kokëdhimën. Ai ka ardhur dje, akoma nuk është futur në Superligë. Kokëdhima ashtu siç futet, ashtu ikën. Nuk është se ka investim të madh siç bëjnë të paktën 3-4 klubet e mëdhaja prej vitesh, që konkurojnë me njëri-tjetrin. Kokëdhima mori diçka që nuk e kishte autorizuar kush të fliste në emër të Ligës. Sidomos pro bojkotit të gjatë. Shantazhe të tilla nuk mund t’i bëhen kësaj qeverie, sepse do të thotë që ti nuk do zgjidhjen. Njerëzit presin futboll. Në fund të fundit këta president klubesh investojnë për njerëzit, atë futboll e bëjnë për ta jo për veten e tyre”.
Kukësi
“Ekipi është i gatshëm të hidhet në fushë dhe të marri maksimumin në çdo ndeshje. Prurjet janë të mira në letër. Kukësi është i formalizuar, në të gjitha repartet ka lojtarë të bollshëm dhe cilësorë. Hiq 3-4 që kanë eksperiencë, të tjeët janë të rinj, rreth 22-23 vjeç. Objektivi jonë kryesor është kampion se këto të tjerat nuk i diskutojmë. Nga çfarë kam parë unë Tirana, Teuta, Laçi, por edhe Ballshi janë rivalë”.
Nexhipi
“Nexhipin nuk e kam bindur fare dhe nuk ka pasur ndërmend të largohet. Ata që janë te mua më lusin “aman të rrimë”, jo të largohen. Nuk vetëlargohet kush. Madje akoma pa u larguar Nexhipi filluan kërkesat për të ardhur në vendin e tij. Më duan shumë. Më duan shumë sepse jemi korrekt. Por edhe Nexhipi nuk ka paraqitur ndonjëherë dorëheqjen. Në asnjë rast. Klubi i ka kërkuar llogari gjithë stafit teknik që të kenë vëmendjen te puna, te menaxhimi. Jo vetëm të blemë lojtarë, por edhe të shesim lojtarë. Nëse do të jepte dorëheqjen ne nuk do të bënim grevë për ta mbajtur në klub. Nexhipi është një ish-lojtar i mirë dhe një djalë i mirë e i sinqertë.
Ne e kemi marrë me një përvojë 0 kur ka ardhur te Kukësi dhe tani ka një përvojë. Ka 2 vite e gjysmë që është te Kukësi, nuk janë pak. Besoj që tashmë është në rrugën e duhur. Blerjet e fundit që solli te Kukësi i dedikohen Nexhipit për hir të së vërtetës. E ka kuptuar më së miri që jo vetëm duhet të blejë lojtarë, por edhe të shesi. Ne kemi disa talente shumë të mirë te Kukësi që mund të nxirren në treg dhe pse jo të fitojë klubi nga shitjet e tyre. Kemi formuar një ekip U21, që ekipi i parë mund të marri lojtarë shumë të mirë nga aty. Mund të furnizohet edhe nga U-21. Nga biseda që kam pasur me profesor Gegën më ka dhënë përshtypje shumë të mira për disa lojtarë që mund të jenë vitrina e tregut qoftë shqiptar, qoftë atij të huaj“, ka deklaruar Safet Gjici./Halit Delibashi-Sport Ekspres/