Koha kur kthehen tifozët, Duka flet për finalen e sjellë në Shqipëri: Ja sesi i bindëm në UEFA

Një arritje e madhe ka ardhur për Shqipërinë në aspektin e sportit teksa finalja e parë e Conference League do të zhvillohet në Tiranë. Për këtë sukses ka folur edhe presidenti i FSHF, Armand Duka, duke iu përgjigjur pyetjeve të shumta të gazetarëve mbi vendimin që dha UEFA.

“Arritja për sjelljen e finales së Conference League është një fitore jo vetëm për futbollin shqiptar, por për gjithë Shqipërinë. Ne kemi treguar se dimë ta organizojmë dhe do ia dalim më së miri. Shqiptarët ndihen të lumtur kur kanë miq dhe do i presim si duhet.

Shqipëria ka shkuar në Europë me futbollin. Kemi aplikuar për disa finale, kemi aplikuar për Superkupën e Europës, por nuk ia kam dalë dot. E fituam këtë herë, kur shkuam me një dosje voluminoze dhe i bindëm. A erdhi për shkakun se jam pjesë e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s? Jo, nuk ka lidhje.

Ka ardhur në këtë moment pasi UEFA ka vlerësuar punën e madhe të Federatës dhe njëkohësisht infrastrukturën në rritje të futbollit tonë. Sa i përket pjesës së bojkotit të futbollit, për t’iu kthyer, nuk kam qenë “pro” kësaj. Isha kundër bojkotit dhe nuk dua të besoj se kjo ishte lojë.

Presim reagimin e Qeverisë deri në 31 dhjetor. Kryeministri Rama më ka thënë se kërkesat janë të nevojshme të realizohen. Ndërkohë edhe jeta normale do të rifillojë dhe tifozët priten në muajin mars, pasi edhe vaksinat kanë dalë. Objektivi ynë i radhës është të shijojmë edhe një tjetër Europian dhe njëkohësisht më shumë arritje të ekipeve shqiptare në Europë. Ekipet duan një shtysë nga Qeveria”, tha Duka. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *